Partia Demokratike (PD) denoncoi ato që i cilësoi fakte të reja që hedhin dritë në skandalin e pajisjes së përgjimit. Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani, foli për vendet ku është përdorur pajisja në Tiranë, informacion ky, i dalë nga Shërbimi Informativ, që i është dërguar edhe kryeministrit Rama dhe Presidentit Nishani.
Një ditë pas vendimeve të gjykatës për kthimin e Haki Çakos në detyrë dhe ndryshimit të masës së sigurisë për Ervis Rroshin, që tashmë ndodhet në arrest shtëpie, Partia Demokratike nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Arben Ristani, denoncoi disa fakte të reja të cilat sipas tij hedhin më shumë dritë në skandalin e pajisjes së përgjimit.
“Pajisja e përgjimit të paligjshëm është përdorur në zonat pranë Prokurorisë së Përgjithshme, në Rrugën e Elbasanit, pranë Televizionit Publik dhe pranë Bashkisë së Tiranës. Të paktën këto katër lëvizje janë dokumentuar, siç bën të ditur media që i referohet një raporti sekret të SHISH, raport që i është dorëzuar Presidentit, Kryeministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Krimi shtetëror i përgjimit të paligjshëm ka ndodhur, cenimi i sigurisë kombëtare ka ndodhur, shkelja brutale e Kushtetutës e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ka ndodhur”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD.
Ristani ka theksuar se Edi Rama ka arsye pse e pengon hetimin. “Këto janë arsyet se perse Edi Rama pengon hetimin, duke shantazhuar gjykatat si ne rastin e rikthimit ne detyre te Drejtorit te Përgjithshëm të Policisë. Në emër të opozitës, ai i bëri thirrje Prokurorisë që të thellojë hetimet në lidhje me këtë çështje”. /Telegrafi/