Rishi Sunak – i cili në mënyrë dramatike dha dorëheqje nga posti i kancelarit të martën – ka njoftuar se do të kandidojë për t’u bërë udhëheqësi i konservatorëve si dhe kryeministri i ardhshëm i Mbretërisë së Bashkuar.
Largimi i Sunak nga detyra, së bashku me atë të sekretarit të Shëndetësisë, Sajid Javid, shkaktuan një vale dorëheqjesh që e detyruan Boris Johnson të jap dorëheqje nga pozita e liderit të konservatorëve.
Në një video të shpërndarë në Twitter, Sunak flet për rrënjët e familjes së tij në Britani – se si gjyshja e tij, u zhvendos në Mbretërinë e Bashkuar në vitet e 60-ta përpara se familja e saj ta ndiqte atë një vit më vonë, dhe si nëna e tij studioi për t’u bërë farmaciste dhe më vonë takoi babanë e Sunak.
“Ishte Britania, vendi ynë, që iu dha atyre dhe miliona njerëzve sikurse ata shansin për një të ardhme më të mirë”, thotë ai, duke shtuar se u fut në politikë sepse do që të gjithë të kenë të njëjtat mundësi si ai.
Sunak thotë se Mbretëria e Bashkuar po përballet me sfida të mëdha dhe vendimet e marra sot “do të vendosin nëse brezi i ardhshëm i britanikëve do të ketë gjithashtu mundësinë për një të ardhme më të mirë”.
Ai thotë se dëshiron ta udhëheqë vendin “në drejtimin e duhur”. /Telegrafi/