Site icon Telegrafi

Rishfaqet Lulzim Zeneli, me kritika për pushtetin e opozitën (Video)

Ishim mësuar ta shohim shpesh në ekranet televizive, mirëpo prej vitesh ai është larguar nga to por edhe nga skena politike.

Ish-zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Lulzim Zeneli, ka qenë i ftuar në emisionin “Kontakt” me Valdrin Krasniqin në Tribuna Channel, për të folur për skenën aktuale politike, për LDK-në e Isa Mustafës dhe për shuarjen e LDD-së.

Ai ka kritikuar si LDK-në ashtu edhe PDK-në me udhëheqjen e qeverisë. Kritika ka pasur edhe për veprimet e opozitës sidomos në Kuvendin e Kosovës.

“Fajësia në skenën politike është e dyanshme. Ne e dimë shumë mirë se cili është roli i opozitës në këtë sferë, mirëpo në anën tjetër asnjëherë nuk mund të justifikohen të gjitha ato zhvillime negative të cilat e kanë përcjellë Kosovën”, ka deklaruar Zeneli.

Sipas tij, sot kemi një qeverisje e cila udhëhiqet nga dy fuqitë më të mëdha politike dhe në fakt kjo e ka determinuar edhe lojën politike.

“Kemi të bëjmë me dy subjekte politike të cilat kanë një rivalitet të vazhdueshëm që nga paslufta dhe në anën tjetër krejt ky kombinim i arritur mes këtyre dy subjekteve ngjason sikur koalicioni është bërë për interesa personale dhe jo mbi bazën e një koncepti politik”, ka thënë Zeneli.

Kur është pyetur se a do t’i rikthehet politikës, ai ka deklaruar se tash për tash nuk janë pjekur kushtet. /Tribuna/

Exit mobile version