Telegrafi

Rishfaqet Jack Ma – themeluesi i Alibaba bën paraqitjen e parë publike, pas frikës “se ishte zhdukur” për gati tre muaj

Jack Ma sapo bëri paraqitjen e tij të parë publike në disa muaj pasi perandoria e tij e teknologjisë vazhdon të përballet me sfida nga rregullatorët kinezë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bashkëthemeluesi miliarder i Alibaba u rishfaq të mërkurën në një video të publikuar në internet nga Tianmu News, një filial i gazetës zyrtare të qeverisë Zhejiang.

Provinca Zhejiang është shtëpia e Hangzhou, qyteti ku është vendosur Alibaba.

Ndryshe, Ma nuk kishte bërë një paraqitje publike ose postim në media sociale që nga fundi i tetorit, pak më shumë se një javë para se filiali financiar i Alibaba, Ant Group, të planifikohej të renditej në bursat e Shangait dhe Hong Kongut.

Në video, për të cilën Tianmu News thotë se u realizua të mërkurën në mëngjes, Ma shfaqet duke folur me dhjetëra mësues në Kinën rurale për një ceremoni çmimi që përkon me festën kineze, Festivalin Laba.

Ma, një ish-mësues anglishte, e ka bërë arsimin një përparësi kryesore për fondacionin e tij – dhe ai ka rritur përpjekjet e tij filantropike në vitet e fundit pas pensionimit nga Alibaba.

“Ne do të takohemi përsëri pasi të mbarojë epidemia”, citohet të ketë thënë Ma në video, duke u thënë mësuesve se festimi tradicional personal për ceremoninë ishte anuluar për shkak të COVID-19.

Videoja e postuar nga Tianmu News gjithashtu tregon pamjet e Ma duke vizituar një shkollë fillore në qytetin Hangzhou më parë këtë muaj.

Pas publikimit të videos, asionet e listuara në Hong Kong të Alibaba u rritën me 6%. /Telegrafi/