Pas një viti heshtje, i vetëshpalluri kalifi i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, rishfaqet përmes një mesazhi audio të postuar në rrjetet sociale.
Fjalimi 30 minutësh u publikua pas qarkullimit të zërave se mund të ishte vrarë, apo se ishte fshehur në Mosulin e rrethuar nga forcat irakiane.
Duke ju referuar ofensivës në bastionin e tyre të fundit në Irak ai shprehet i sigurt në fitore dhe i bën thirrje mbështetësve të rezistojnë, të përdorin taktika kamikaze e të mos frikësohen nga kundërshtarët.
“Kjo luftë dhe xhihadi i madh që po lufton Shteti Islamik, vetëm sa e rrit edhe më shumë besimin tonë të madh dhe bindjen se ky është preludi i fitores”, thotë Al-Bagdadi.
Ai u bën ftesë atentatorëve vetëvrasës t’i kthejnë në ditë netët e jobesimtarëve, të shkaktojnë kaos në tokat e tyre dhe të bëjnë që gjaku i tyre të rrjedhë si lumë.
Kjo ndërhyrje e Al-Baghdadit, një vit pas fjalimit të tij të fundit shihet si një përpjekje për të motivuar ndjekësit e tij në një fazë të vështirë ku gjysma e territorit është humbur.
Lideri i ISIS-it u kërkoi militantëve të godasin Arabinë Sauditë, e akuzuar se qëndron pas çdo projekti kundër myslimanëve, e gjithashtu Turqinë, që e quan një vend femohues.
Duke zgjeruar horizontin, kryeterroristi i bën thirrje krahinave më të largëta, në Siri e Irak, të ruajnë kompaktësinë përballë tentativa përçarëse.
Rishfaqja e liderit të ISIS nxjerrë në pah tre elementë, se Al-Baghdadi jeton, se situata për grupin ekstremist është tepër e vështirë dhe gjithashtu mesazhin për të vazhduar luftën me çdo kusht, edhe në rastin se kalifi do të vritet.