Site icon Telegrafi

Ripërsërit Tahiri: S’ka Asociacion pa zhbërjen e strukturave paralele

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, është takuar sot në Bruksel me Angelina Eichhorst, drejtore për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Evropian.

Në një komunikatë për media, bëhet e ditur se në këtë takim ministrja për Dialog ka diskutuar për bllokadat që Serbia po ia bënë zbatimit të marrëveshjes për kodin telefonik shtetëror të Kosovës, për nisjen e punës së KOSTT-it si sistem i pavarur i transmisionit të energjisë si dhe vonesat e dukshme për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e Urës mbi lumin Ibër të Mitrovicës.

Ajo po ashtu ka folur për angazhimet e Kosovës për të zbatuar marrëveshjet e Brukselit, duke thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet zbatuese dhe do të vazhdojë të jetë e përkushtuar, mirëpo pa u hequr bllokadat që Serbia po ia bënë këtij procesi nuk mund të ketë progres në zbatimin e marrëveshjeve.

Ajo në veçanti theksoi se Kosova pa e marrë kodin telefonik shtetëror dhe pa filluar KOSTT të veprojë e pavarur, nuk do të ndërmarrim asnjë veprim zbatues në lidhje me Asociacionin, dhe se kusht për Asociacionin është shuarja e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë, thuhet në komunikatë.

Ministrja Tahiri në takim ka theksuar po ashtu se dialogu i Brukselit ka ndihmuar për arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociim mes Kosovës dhe BE-së dhe rekomandimin e BE-së.

Ministrja Tahiri ngriti shqetësimet për ngecjet në heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës së Ibrit, për të cilin tha se nuk është duke u vërejtur progres i dukshëm për shkak të pengesave të Serbisë.

“Serbia po arrin që madje ta pengojë edhe BE-në përkatësisht zyrën e BE-së në Kosovë e cila është e autorizuar që të realizoj heqjen e barrikadës dhe ta revitalizoj urën e Ibrit për të krijuar kushtet e lëvizjes së lirë për të gjithë”, tha ajo.

Ministrja Tahiri theksoi se Serbia po vazhdon me obstruksione duke mos e lejuar kryetarin e komunës veriore të Mitrovicës që ta nënshkruajë memorandumin e mirëkuptimit me Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor me të cilin konfirmohet se linja administrative në mes të komunës jugore dhe asaj veriore të Mitrovicës janë në përputhje me hartat dhe zonat kadastrale të definuara sipas planit të Ahtisarit.

Në këtë takim, Tahiri përmendi edhe regjistrimin e popullsisë në katër komunat veriore të cilat nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e vitit 2011, duke kërkuar nga BE që të sigurojë mos ndërhyrjen e Serbisë në pengimin e këtij procesi për të cilin Qeveria ishte dakorduar me kryetarët e komunave të veriut në fillim të vitit 2014 në takim të përbashkët ku kanë marrë pjesë edhe ambasada amerikane dhe zyra e BE-së në Kosovë.

Drejtoresha e BE-së, Angeline Eichhorst nga ana e saj theksoi se për arsye të zhbllokimit të procesit të zbatimit ka qëndruar në një vizitë në Beograd me ç’rast me autoritetet e Serbisë ka diskutuar për të gjitha çështjet si dhe ka kërkuar angazhime nga Serbia për të zbatuar obligimet nga dialogu i Brukselit.

Ajo shprehu bindjen se proceset zbatuese do të vazhdojnë duke paralajmëruar takime të radhës që nga java e ardhshme, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/

Exit mobile version