Evangjeli Veli e ka mbyllur në vendin e dytë në Baterinë B, garimin e saj në Olimpiadën e Rio De Janeiros duke ngritur në total 165 kilogramë në dygarësh.
Sportistja kuqezi që garonte në peshën 53 kilogramë arriti të kalojë me sukses të tria provat e saj në stilin e shkëputjes, duke ngritur fillimisht 68 kilogramë, më pas 72 kilogramë dhe në provën e tretë 75 kilogramë, transmeton SuperSport.
Në stilin e shtytjes, Evangjelia, që mundi të bëhet pjesë e ekipit vetëm në momentet e fundit dështoi në provën e parë me 88 kilogramë, por gjithsesi në të dytën nuk nguroi të shtonte peshën në shtangë, teksa provoi 90 kilogramë, provë që e realizoi me sukses.
Në provën e tretë, Veli kërkoi të ngrinte lartë 96 kilogramë, por nuk arriti ta mbajë dot shtangën duke e mbyllur në dygarësh me 165 kilogramë në total, që e pozicionoi në vendin e dytë në baterinë B.