Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke vijuar normalisht procesi i rinumërimit të vendvotimeve për të cilat ka vendosur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka konfirmuar për KosovaPress, se deri të shtunën në mesnatë janë rinumëruar 219 vendvotime nga 530 sa është totali i tyre.
Sipas Elezit, procesi i rinumërimit është duke u vëzhguar vazhdimisht nga vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë.
Kujtojmë se 149 vendvotime kanë shkuar në rinumërim për shkak se shënimi ka qenë jo i saktë i subjekteve politike, ndërsa 24 vendvotime me probleme teknike të cilat nuk kanë mundur të procesohen në bazën e të dhënave.
Po ashtu, në rinumërim kanë shkuar edhe 81 vendvotime ku subjekti nuk ka pasur vota, ndërsa, kandidatët kanë pasur vota, pastaj 89 vendvotime rinumërohen sepse kandidati ka më shumë vota se subjekti dhe 187 për shkak se kandidatët kanë më shumë vota se sa subjekti. /Telegrafi/