Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë se janë duke vazhduar me procesin e rinumërimit të 494 vendvotimeve.
Po ashtu, Elezi tha se është duke vazhduar edhe procesi i vlerësimit të pakove që kanë ardhur nga diaspora, transmeton Telegrafi.
“KQZ ka shtuar kapacitetet në QNR dhe po ashtu kapacitetet për vlerësimin e pakove nga diaspora. Deri tani në QNR janë rinumëruar rreth 33 përqind e vendvotimeve, apo 161 nga 494 sa është numri i tyre. Kurse po vazhdon vlerësimi i pakove që kanë ardhur nga diaspora. Sipas të dhënave të fundit janë hapur 31 mijë e 640 pako të supozuara me fletëvotime, ku kemi të aprovuara 35 mijë e 84 zarfe me fletëvotime, kurse janë refuzuar 14 mijë e 200 fletëvotime. Arsyet e refuzimit të këtyre fletëvotimeve janë nga më të ndryshmet”, tha ai.
Elezi pohoi se deri ditën e premte mund të përfundojë rinumërimi i vendvotimeve, kurse vlerësimi i pakove nga diaspora gjatë vikendit.
Zëdhënësi i KQZ-së, deklaroi sërish së rezultatet përfundimtare do të shpallen javën e ardhshme. /Telegrafi/