Site icon Telegrafi

Rinovohen 150 hyrje të banesave në Prishtinë

Ndërmarrja Publike Banesore në Prishtinë i ka rinovuar 150 hyrje të banesave kolektive në kryeqytet, punime këto me vlerë prej rreth 800 mijë euro. 

Ka përfunduar renovimi i rreth 150-të hyrjeve të banesave kolektive në Prishtinë, nga Ndërmarrja Publike Banesore, në vlerë nga 5 mijë deri në 20 mijë euro, varësisht nga katet e ndërtesës.

Udhëheqësi Operativ në këtë Ndërmarrje, Drilon Pireva, tha për Radio Kosovën se renovimet janë bërë bazuar në kërkesat e qytetarëve.

“Projekti ka filluar në shtator të 2017-ës dhe dëmtimi i hyrjeve ka qenë tepër i madh pasi që këto hyrje nuk administrohen që nga viti 1990, qysh prej masave të dhunshme të njohura për ne, nuk kanë pasur administrim. Shkalla e dëmtimeve është jashtëzakonisht e lartë por dita-ditës po i vjen fundi këtij kaosi 30 vjeçar dhe hyrjet do të administrohen të gjitha nga NPB”, tha Pireva.

“Fasadohen muret, plasaritje në mure, dyshemeja e dëmtuar, ngjyrosen muret, sistemohen kabllot e internetit në kanale prej knaufi, vendoset ndriçimi me sensorë, vendosen kutitë e hidrantëve, riparohen kapakët e rrymës të cilat kanë telashe të mëdha, ngjyrosen dhe riparohen parmakët e shkallëve, vendosen mbajtësit e dorës në parmak, ndërrohen xhamat e thyer, riparohen dhe ngjyrosen kornizat e dritareve”, tha ai.

Pireva tha se ndër projektet e ardhshme të NPB-së, është intervenimi në mbylljen e gropave dhe riparimi i rrugëve në kryeqytet, por edhe rregullimi i fasadave të jashtme dhe i çative në lagjet e urbanizuara. Këto të fundit  do të realizohen me pilot-projekt, kostoja e të cilit pritet të jetë e lartë.

 

Exit mobile version