Mesut Ozil dhe Arsenali nuk kanë rinovuar ende kontratën mes tyre dhe nga kjo situatë do të kërkojë të përfitojë Manchester United.
Sipas tabloidit britanik “The Sun”, trajneri i Djajve të Kuq, Jose Mourinho ka ndërmend të hyjë në bisedimet mes futbollistit dhe klubit londinez me synimin për të sjellë në Old Trafford mesfushorin gjerman.
Gjithnjë sipas “The Sun”, Manchester United është gati që t’i ofrojë Ozil një kontratë me pagë 15 milionë euro në sezon, një shifër kjo që është më e lartë nga ajo që Topçinjtë i ofrojnë për rinovimin, 9.6 milionë euro në sezon.
“The Sun” bën të ditur gjithashtu se kjo është një manovër e agjentëve të Ozil për të ushtruar më shumë presion mbi Arsenalin në mënyrë që ky i fundit të rrisë akoma më shumë ofertën për lojtarin.
Kontrata e Ozil me Arsenalin përfundon në vitin 2018 dhe nëse ai nuk do të rinovojë, atëherë klubi londinez do të jetë i detyruar ta shesë atë për një shifër jo shumë të lartë, për të evituar mundësinë e largimit të tij me parametra zero.
Një blerje me shifra të ulëta i jep mundësinë United t’i ofrojë Ozil një pagë më të lartë nga ajo e Arsenalit.