Arijanet Muric pritet të largohet nga Manchester City gjatë afatit kalimtar veror.
Kampionët e Anglisë kanë vendosur që t’ia rinovojnë kontratën portierit të Përfaqësueses së Kosovës.
Kontrata aktuale e Muric me Cityn skadon në qershor të vitit 2020, ndërsa City është në bisedime të avancuara për t’ia vazhduar atë deri në vitin 2023.
20-vjeçari me kontratën e re pritet të fitojë edhe një pagë shumë më të lartë se sa fiton aktualisht.
Paga aktuale e Muric te City është 429 mijë funte në vit, ndërsa sipas medieve angleze me kontratën e re, ai do të ketë pagë vjetore rreth një milionë funte.
Por Muric nuk do të mbetet te City për edicionin e ardhshëm edhe pse do të rinovojë kontratën.
Kampionët aktual të Anglisë besojnë në të dhe duan ta huazojnë për një vit që të luaj rregullisht.
Nottingham Forest nga Championship është skuadra më e interesuar për shërbimet e Muric, mirëpo gara për të është më e lartë.
Daily Mail ka raportuar se në garë për lojtarin janë edhe disa skuadra tjera nga Championship, por City është duke pritur të vije një ofertë nga elita e futbollit anglez. /Telegrafi/