Pas një ndërprerjeje njëorëshe, ka rifilluar numërimi i votave në Qendrën Komunale të Numërimit, në sallën “1 Tetori”.
Ndërrimi i pasdites i komisionarëve është vonuar për shkak të disa përditësimeve të sistemit.
Procesi i numërimit është shoqëruar me ngecje dhe pengesa të herëpashershme.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), përveç numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, në Qendrat Komunale të Numërimit po verifikohen edhe votat e subjekteve politike, bazuar në formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit fillestar.
KQZ ka theksuar se, pavarësisht vonesave dhe dyshimeve të ngritura, integriteti i votës nuk është cenuar dhe rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit do të jenë të sakta.
Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë filloi me një ditë vonesë më 11 shkurt në vetëm katër komuna, ndërsa sot pritet të nisë edhe në 34 komunat e tjera.
Kjo mund të vonojë shpalljen e rezultateve përfundimtare, pasi pas këtij procesi duhet të numërohen edhe votat nga diaspora, votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
Në një njoftim për media, KQZ bëri të ditur se procesi i numërimit ka vijuar pa probleme në Lipjan, Obiliq dhe Partesh, ndërsa në Prishtinë janë raportuar ndërprerje të herëpashershme./Telegrafi/