Site icon Telegrafi

Rinia shqiptare duhet të udhëheqë revolucionin!

Revolucionet në thelb janë ndryshime të gjendjes. Revolucionet nuk janë produkte të mendjes, por janë pasqyrime objektive, të cilat pasqyrohen dhe në vetëdijen e njeriut nëpërmjet shqisave dhe të menduarit. Të menduarit në thelb nëpërmjet rrugëve e logjikës, si koncepti, gjykimi dhe arsyetimi në rrugë empirike apo racionale, pasqyrojnë këtë lloj lëvizje të paasgjësueshme dhe absolute që quhet nga ne në përkufizimin "revolucion".

Pra, në thelb kjo ka të bëjë me prishjen e masës dhe të gjendjes në saj të lëvizjes (vetë materia është në lëvizje dhe ndryshim të vazhdueshëm). Dhe, po ta shohim nga pikëpamja filozofike, lëvizja është ndryshim dhe ndryshimi është lëvizje… Materia dhe lëvizja janë primare dhe të paasgjësueshme: do të thotë se ajo vepron jashtë dhe pavarësisht nga vullneti apo mendimi subjektiv (mendimi subjektiv vetëm i zbulon këto ligje po nuk i ndryshon dot). Dhe, nën efektet e lëvizjes, të hapësirës dhe kohës, gjendja ndryshon në dy rrugë: në rrugë revolucionare dhe në rrugë evolucionale… Po, si tek e para dhe tek e dyta veprojnë ligjet e ndryshimit dhe ligji i mohimit.

Mbasi shumëllojshmëria e revolucioneve shoqërore apo teknike kanë të përbashkët shtrirjen në hapësirë dhe kohë, ndaj materia që lind, zhvillohet, lë pasardhës dhe shuhet ose transformohet. Në unitetin e së tërës dhe revolucionet janë pjesë e lëvizjes për përshtatje. Hopet janë pjesa e ndryshimit. Perceptimi i revolucioneve shoqërore ka të bëjë dhe me perceptimin e sistemit. Se, në vartësi të sistemit dhe elementet që e përbëjnë atë, bashkësinë në të cilën shqyrtohet sistemi, në ndryshimet brenda tij apo jashtë tij kanë të bëjnë dhe me shfaqjen apo perceptimin psikik të gjendjes.

Ndryshime nga një sistem në tjetrin bëhen me revolucione, brenda sistemit me evolucion (konceptet për një Shqipëri Etnike ndryshe, ose Shqipëria Etnike, po ndryshon: Shqipëria Etnike në revolucion ose Shqipëria Etnike duhet të bëjë revolucion)… Por, shtrohet pyetja se kush duhet ta fillojë ose udhëheqë revolucionin?

Pa dyshim që revolucionin duhet ta udhëheqë rinia shqiptare… Rinia, ashtu si gjithë shoqëria shqiptare, ka përfunduar në inerci ndaj pushteteve politike dhe ekonomike të përqendruara në një dorë pasunarësh oligarkë. Rinisë shqiptare së pari i mungon mendja dhe dëshira për të çarë murin e lartë dhe të fortë të politikanëve injorantë që po na marrin në qafë… Problemet e rinisë nën tejkqyren e lirive dhe të drejtave të individit, sepse është e vetmja përmasë universale para së cilës demagogjitë dhe pozat konjunkturale zhvishen nga petku që kanë, e zhvlerësohen vetiu!

Njeriu, individi, nuk është i lirë në Shqipëri dhe në trojet etnike shqiptare; ligji nuk është njësoj për të gjithë, të drejtat themelore të njeriut shkelen me këmbë ditën me diell, nuk respektohet Kushtetuta as nga gjyqësori, as nga ekzekutivi e as nga vetë ligjvënësit! Këto janë arsye të mjaftueshme për ta ngritur një popull prapë në këmbë e në protesta, por duket se 50-të vite shprishjeje individualizmi, dhe 20 vite të tjera degradimi të individit në një qenie të shpërdorueshme kanë bërë të veten…

Njeriu këtu ka humbur besimin, madje edhe tek vetja. Pa patur njëfarë ideali, njëfarë shprese, njëfarë inkurajimi qoftë edhe të verbër që e drejta e tij si pjesëtar shtet e kombformues do të kishte një mundësi për t`u njëmendësuar e realizuar, individi do mbetet një entitet pasiv, i plogësht e pa iniciativë. Interesi dhe vëmendja e tij do përqendrohet kështu vetëm tek mbijetesa, e ku, mu në ato kushte që ka në vendin e tij. Mbijetesa do ta shtyjë gjithashtu të përqafojë ”idhuj” të tjerë ku do ndihej me njëfarë përkrahje, qofshin këta ”idhuj” pikërisht ata që e kanë dergjur atë vetë në këtë mesele! Ose, do gjejë mënyra për të ikur tjetërkund, të braktisë vendlindje, fis e fëmijëri…

Deri vonë jemi ankuar, me të drejtë, se të huajt e ndanë kombin, e më shumë se gjysma ndodhet jashtë kufijve zyrtarë. Sot pas 20 vjet "lirie e demokracie", prapë gati gjysma e bashkëkombësve shqiptarë janë detyruar të marrin udhët. Pra, thelbësisht është një problem i gjithë shoqërisë shqiptare… Por, prapë them që duhet të jetë rinia ajo që duhet të protestojë e para, me të gjitha mjetet e mundshme civile.
 

Exit mobile version