Site icon Telegrafi

“Rinia largohet, Rozeta pasurohet”, të rinjtë e PDK-së me aksion simbolik para MINT-it

Rinia Demokratike e Kosovës ka organizuar sot një aksion simbolik para Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për zhvillimet e fundit, të cilat e lidhin këtë ministri për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove të rezervave shtetërore të vajit, sheqerit dhe grurit.

“Vaji dhe Polonia, si Rozeta e hajnia!”; “Rinia largohet, Rozeta pasurohet”; “Ju me zemër, na pa bukë!” – janë disa nga parullat e aksionit të sotëm të RDK-së.

Kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu tha se MINT në krye me ministren Rozeta Hajdari deri tani ka shpërfaqur vetëm keqmenaxhim e abuzim të parasë publike.

“Përgjimet që lidhen specifikisht me vajin dhe sheqerin dëshmojnë se kjo ministri ka blerë vaj dhe sheqer me vlerë mbi 300 mijë euro prej një kompanie polake. Paret i kanë dhënë, por vaji, sheqeri e gruri nuk janë kërkun. Ne po e zhvillojmë këtë aksion simbolik, sepse kjo ministri në krye me Rozetën nuk ka treguar rezultat deri më tani, por vetëm keqmenaxhim e abuzim të parasë publike”, theksoi Salihu.

Lexo po ashtu “Afera e grurit” – dalin përgjimet e reja, përmenden emra të disa zyrtarëve

PDK kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Rozeta Hajdarit dhe kërkuan nga organet e rendit t’i hetojnë këto skandale korruptive.

“Po shihet qartë që Qeveria Kurti me skandalet e saj të njëpasnjëshme nuk e ka prioritet rininë. Andaj, ne kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Rozeta Hajdarit dhe kërkojmë nga organet e rendit t’i hetojnë këto skandale korruptive”, tha Salihu. /Telegrafi/

Exit mobile version