Telegrafi

Rinia e munguar migjeniane!

“Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.”

Por sa rini kaluan që nga vjersha e Migjenit?

Kaloi rinia e gjyshërve të mi dhe nuk ia thanë dot këngës e nuk qeshën dot. Bota jashtë vlonte nga zhvillimi, ata vuanin mjerimin.

Kaloi rinia e brezit të prindërve të mi dhe të mbyllur në verbërim këndonin këngën e heshtjes. Lexonin libra fshehur dhe si molla e ndaluar i dinë vlerën mirë edukimit dhe arsimit. U rritën me ëndrrën e një kënge që nuk e kënduan dot kurrë se mundësitë ishin të pakta.

Po kalon rinia ime! Mundësitë e shumta të kalojnë poshtë hundës, por ti nuk i kap dot. Bota është e jona, por ne nuk e prekim dot. Pamë vetëm tranzicion dhe presim ndryshime që ndoshta do duan dhe tre breza rini tjetër të arrihen. Pse të qesh kjo rini? Kjo rini po përjeton lirinë e gabuar dhe kjo liri është kurth.

Kjo rinia e brezit tim shikon prindër sakrifikues që kanë lënë çdo gjë për të na dhënë ne mundësinë e shkollimit. Prindër që dikur kanë qenë të rinj dhe kanë harruar buzëqeshjen e tyre që të qeshim ne.

Rinia e brezit tim pa si blihen diploma me dy lekë që të bëjnë drejtor. Rinia e brezit tim mëson me libra të përkthyer keq nga mësimdhënësit. Rinia e brezit tim duhet të tund flamur militantësh që të punësohet dhe nuk ka rëndësi se sa produktiv je në punë, por sa persona mbledh në mbledhjet e partisë. Prandaj, kjo rini nuk qesh. Kjo rini pret dhe nga pritja nuk qesh njeri.

Kjo rini po vret kohën në kafe si e vetmja mundësi socializimi që kemi.

Ambicia bie, zhgënjimi të pret krahët, përsëritja e të njëjta ngjarjeve të zhdekurajon. Edhe nëse qesh kjo rini e brezit tim do jetë i trishtuari që qesh bosh. Kjo rini nuk ka më çfarë të ëndërrojë.

Kush do ta bëj të qeshë këtë rini? Thirrjet e politikanëve çdo katër vjet për interesa personale?

Rinia do sfida. Rinia do luftë. Rinia do jetë. Rinia do zhvillim. Rinia do program. Rinia do ta përdorë forcën e saj vullkanike për realizim. Rinia shqiptare është dhe do, mundësitë ku janë?