Telegrafi

Rinia e Kosovës fokus i ndërkombëtarëve

Në Kosovë ende ka mjaft sfida të mëdha të cilat pengojnë zhvillimin e mëtejmë të rinisë në Kosovë. Ndër sfidat më të mëdha që pengojnë këtë zhvillim është varfëria dhe gjithëpërfshirja e grupeve të të rinjve. Kështu është thënë në takimin ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me mbështetje të Misionit të OSBE-së në hapjen e takimit koordinues me donatorë, në sektorin e rinisë në Kosovë.

Në këtë takim u tha se bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet kësaj ministrie dhe partnerëve të saj kryesor në këtë fushë, do të ndihmoj shumë që rinia e Kosovës ta promovoj punën e saj dhe të arrijë një zhvillim më të mirë.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë,Jean Claude Schlumberger, tha se ky takim koordinues do t’i shtoj vlerat e tyre të përbashkëta për maksimizimin e rezultateve të punës së tyre, në fushën e fuqizimit rinor.

“Rinia përbën grupin më të madh demografik me një potencial të jashtëzakonshëm për tu bërë agjent, faktor i ndryshimit. Prandaj, rinia është në fokus të shumë nesh që punojmë këtu në Kosovë dhe kjo është arsyeja pse ne jemi sot këtu për t’i koordinuar përpjekjet tona dhe për të nxitur bashkëpunimin për të nxjerrë rezultate maksimale. OSBE-ja ka treguar një zotim afatgjatë për mbështetjen e fuqizimit të rinisë si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal”, tha Schlumberger.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, tha se ky takim nuk do të shërbej vetëm si shprehje e vullnetit të mirë për angazhime të përbashkëta, por, si mundësi për konkretizimin e programeve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është shumë e interesuar për promovimin dhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje, për arsimimin cilësor të tyre, për promovimin e punës dhe ndërmarrësve të tyre, për parandalimin dhe diskriminimin, si dhe për promovimin e jetës së shëndetshme, për stimulimin e talenteve në sport etj. Andaj si përfundim ne vlerësojmë se të gjitha këto synime janë të arritshme me një bashkëpunim të vërtet, me një koordinim të fort me partnerët tanë dhe me një qasje sa më gjithëpërfshirëse”, tha Shala.

E shefja e zyrës së UNICEF, Laila Omar Gad, tha se OKB është duke ndihmuar shumë në zhvillimin e të rinjve, që sipas saj, më e rëndësishmja për ta është fuqizimi i të rinjve kosovar në mënyrë të barabartë, pa dallim etnie. /Telegrafi/