Indeksi i çmimeve të konsumit në Kinë u rrit me 1.8 për qind në muajin korrik në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nga ana tjetër, indeksi i çmimeve të prodhimit ra me 1.7 për qind në krahasim me Korrikun e një viti më parë. Në terma mujorë ndërkohë, norma e inflacionit u rrit me 0.2 për qind, tregojnë të dhënat e fundit zyrtare.
Arsyeja kryesore e rritjes së normës së inflacionit gjatë muajit të kaluar është impakti i shirave të rrëmbyeshëm në prodhim si dhe rritja e kostove të pushimeve verore.
Sa i përket çmimeve të prodhimit, pavarësisisht se regjistrohen në rënie të theksuar, ka një ngadalësim të hapit të rënies në krahasim me muajin Qershor.
Gjatë këtij muaji, çmimet e prodhimit ranë me 2.6 për qind. Muaji korrik është muaji i 52-të me radhë në rënie sa i përket çmimeve të prodhimit, ndërkohë që ngadalësimi ekonomik i Kinës si dhe mbikapaciteti industrial vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi çmimet.
Vetëm një ditë më parë, Pekini raportonte shifra zhgënjyese sa i përket aktivitetit tregtar, me eksportet dhe importet në rënie të theksuar gjatë Korrikut. /Telegrafi/