Site icon Telegrafi

Rindërtimi, shtëpitë që përfitojnë familjet e prekura nga tërmeti

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë paraqitjes së modeleve të rindërtimit për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, se të gjithë ata që kanë humbur banesat individuale, do të hyjnë në shtëpitë e reja, brenda këtij viti. Sa i takon atyre që kanë humbur apartamentet në pallate, Rama dha si afat fundin e vitit 2021.

“Pjesën dërrmuese 90-95%, do t’i kemi të ngritura dhe do të kalojnë vitin e ri aty. Sa i takon blloqeve ato janë më të komplikuara por besoj se të gjitha kantieret do të mund të ngrihen brenda këtij viti dhe brenda vitit 2021 do të kemi filluar të fusim një pjesë të madhe të banorëve në këto apartamente”, deklaroi z. Rama.

Kreu i qeverisë foli për transformimin e zonës së Thumanës dhe Laçit në zona turistike pas procesit të rindërtimit, por gjithashtu do t’i jepet ekonomisë së vendit një ritëm tjetër zhvillimi. Gjatë konferencës u paraqiten dhe modelet e shtëpive që do të ndërtohen për familjet që kanë humbur shtëpinë në fshat. Ministri i Rindërtimit, z. Ahmetaj tha se shumë shpejt do të hapet gara ndërkombëtare për kompanitë të cilat do të ndërtojnë banesat individuale.

“Mundësia e re që na është dhënë nga shuma prej 1.1 miliardë është një hapësirë e re fiskale. Kjo e kombinuar me OFL, sepse është një operacion kundër krimit por është me ndikim ekonomik të rëndësishëm për ta çliruar nga tentakulat bllokuese të krimit. Bashkë me një masë tjetër që nesër do ta prezantoj në kongres dhe disa masa të tjera shtesë, ne mendojnë dhe besojmë se do të kemi një situatë tjetër ekonomike, që do të çojë në një nivel tjetër tërësor”, tha z. Rama.

Gjatë kësaj konference, Kryeministri ka reaguar për herë të parë dhe për tubimin e thirrur nga Presidenti, Ilir Meta më 2 mars. “Presidenti e ka shtëpinë, ka më shumë se një shtëpi. Jam këtu për banorët që kanë humbur shtëpitë dhe janë në çadra. Jo vetëm në këtë konferencë por në të gjitha orët e mia të ditës dhe natës, nuk merrem me çështjen e Presidentit, është luks i madh për mua”, tha z. Rama.

Fillimisht, procesi i rindërtimit do të nisë për familje që jetojnë ende në çadra, që rezultojnë se janë më të prekura dhe që kanë më pak të ardhura. Ndërkohë sot është afati i fundit për banorët e prekur nga tërmeti për të aplikuar në platformën online për procesin e rindërtimit. Familjet nga një deri në dy anëtarë, përfiton një banesë deri në 70 metra katrorë.

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj tha se procesi i rindërtimit nuk është proces kompensimi, por proces social për zgjidhjen e problemit të strehimit. Ahmetaj u shpreh se, familjet që kanë dy banesa nuk përfitojnë nga ky proces nëse nuk u janë dëmtuar të dy banesat.

Exit mobile version