Telegrafi

Rimëkëmbja e Europës Lindore, e ngadalshme

Rimëkëmbja e ekonomisë në Europën Lindore do të jetë e ngadaltë dhe e gjatë, me prani të rrezikut. Analiza e fundit, bërë nga drejtuesit më të lartë të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), del në konkluzionin se vendet e Europës Lindore do të kenë vështirësi në kapërcimin e krizës, për shkak të valës së dytë të efekteve. Sipas studimit, kriza do të kalojë me mjaft vështirësi në vende si Rusia, Ukraina, Letonia dhe Hungaria.

Sipas krye-ekonomistit të BERZH-it, Erik Berglof, këto vende do të kenë vështirësi në menaxhimin e deficiteve buxhetore, si pasojë e rënies së të ardhurave dhe planit të lartë për investime. BERZH thekson problemet e shumta me bankat, si rrjedhojë e kredive të këqija, por shton se rimëkëmbja, gjithsesi, do të vijë. Ekspertët e bankës, në muajin maj kanë dalë në parashikimin se rritja ekonomike në këtë rajon në vitin 2009 do të bjerë me rreth 5.2 për qind.

Sa i takon Shqipërisë, më herët BERZH ka parashikuar një rritje ekonomike për vitin 2008, jo më të lartë se 4 për qind, ndërsa qeveria pretendon të arrijë në 5.8 për qind (rishikuar së fundmi). Raporti i publikuar pak kohë më parë evidentonte se rritja në Shqipëri ka arritur 6.1 për qind në vitin 2008, nga 6 për qind që ishte në vitin 2007, ndërsa në vitin 2009 rritja pritet të arrijë në jo më shumë se 4 për qind. Sipas BERZH-it,

"Shqipëria po vazhdon të ketë një progres të mirë në disa fusha, por nevojiten më shumë përpjekje për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe rritjen e cilësisë së infrastrukturës për të ruajtur në të ardhmen rritjen mbresëlënëse ekonomike të viteve të fundit".

Efektet e krizës ekonomike në botë kanë shkaktuar me qindra mijëra të papunë, falimentim biznesesh, mbyllje bankash dhe pasiguri të mëdha për të ardhmen. Vetëm në SHBA, në dy vitet e fundit kanë falimentuar mbi 80 banka, ndërsa papunësia po prek nivelin 10 për qind.