Zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës së Kosovës në Shkup, Prindon Sadriu ka reaguar pas raportimeve në media se ai ka kërkuar kompensim financiar për infektimin me coronavirus.
Sadriu ka shprehur shqetësimin e tij se me publikimin e këtyre dokumenteve janë treguar edhe të dhëna shëndetësore të tij që janë në kundërshtim me ligjin.
Ai nuk ka mohuar se ka kërkuar një kompensim të tillë, por thotë se një gjë të tillë e lejon ligji.
“Ekziston përkufizim i qartë në Udhëzimin Administrativ 04/2015 te MPJD-se [Për sigurimet shëndetësore në misionet diplomatike e konsullore të Republikës së Kosovës] i cili rregullon çështjen e mbulimit te shpenzimeve shëndetësore për gjithë diplomatet dhe anëtaret e shërbimit te jashtëm. Ministria e punëve të jashtme ka mbuluar shpenzimet shëndetësore te diplomateve te saj nga viti 2008”.
Sadriu thotë se këto shpenzime kanë kaluar në disa filtra administrativ derisa janë aprovuar.
Prindon Sadriu që është edhe bashkëshort i presidentes Vjosa Osmani, thotë se mediat nuk i raportuan shpenzimet shëndetësore prej mijëra euro të ish-ambasadorëve por merren me “300 e sa eurot që i janë rimbursuar atij”.
Në fund, Zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës së Kosovës në Shkup thotë se Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup ka ulur rreth 7 fish shpenzimet e saj operative qe nga korriku i këtij viti, kur u largua Gjergj Dedaj.
“Disiplina financiare dhe kursimi i parasë publike ka qenë dhe mbetet parim i përditshëm i punës time dhe ekipit që udhëheqë në këtë Ambasadë”, ka njoftuar ndër të tjera Prindon Sadriu./Telegrafi/