Telegrafi

Rimbursimi i ulët i policave të sigurimit nga mërgimtarët, Krasniqi e quan Kurtin mashtrues dhe zhvatës

Qeveria Kurti kishte vendosur që bashkatdhetarët të paguajnë vetë policën kufitare, dhe pastaj të aplikojnë për rimbursim të mjeteve në mënyrë online.

E ky ndryshim i kishte krijuar ngarkesë mërgimtarëve duke hezituar të aplikojnë për rimbursim të mjeteve për policën kufitare.

Lidhur me këtë ka reaguar lideri i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi.

Ai, përmes një shkrimi në Facebook, e ka quajtur kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, mashtrues dhe zhvatës.

“Kur nuk ka nevojë për votën e tyre, ky është trajtimi dhe mendimi i vërtetë i Qeverisë së Albin Kurtit për mërgimtarët. Injorimi në kërkesa, mashtrimi në premtime dhe zhvatja e pasurisë së tyre”, tha Krasniqi.

Sipas tij, nga 1 qershori, deri më 31 gusht 2022 në Kosovë kanë hyrë më shumë se 222 mijë vetura me mërgimtarë, prej të cilëve rimburësimin e polisës së sigurimit e kanë marrë vetëm 8 mijë e 845 prej tyre.

“Nga 1 qershori deri më 31 gusht 2022 në Kosovë kanë hyrë 222,274 vetura me mërgimtarë. Të gjithë, pa përjashtim, kanë paguar polisën e sigurimit në kufi. Për shkak të procedurave të komplikuara burokratike që i ka vendosur Qeveria, vetëm 11,923 mërgimtarë kanë aplikuar për rimbursim, ndërkaq, deri sot, vetëm 8,845 prej tyre kanë përfituar rimbursimin”, tha Krasniqi./Telegrafi/