Telegrafi

Rilindja, Mabetex e bën gati në kohë rekord

Qeveria e Kosovës, në shkurt të viti 2008 pat marrë vendim që të gjitha institucionet e Kosovës, që gjenden në shtëpi private, të vendosen në objekte publike. Disa nga ministritë janë vendosur në objekte publike, ndërkaq që nga mesi i dhjetorit në objektin e ish pallatit të mediave do të vendosen 4 ministri me rreth 800 zyrtarë.

Për rinovimin e këtij objekti tenderin e pat fituar Kompania ndërtimore “ Mabetex”, në vlerë rreth 15 milion euro. Objektin e përuruan presidenti, Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i kompanisë “Mabetex”.

Kryeministri, Hashim Thaçi, e vlerësoi këtë objekt si madhështor pasi ai do të ofrojë kushte, hapësirë dhe mundësi për ministritë që do të vendosen në këtë objekt. Kryeministri falënderoi edhe përfaqësuesin e kompanisë “Mabetex” për ndërtimin e këtij objekti.

“ Një nga zotimet tona që në fillim ka qenë nxjerrja e ministrive nga objektet me qira dhe ndërtimi i objekteve adekuate, përshtatja e tyre. Ky është një investim që do të ndikojë në krijimin e kushteve shumë më efektive”, tha Thaçi.

Ende nuk është e sigurt se cilat ministri do të vendosen në këtë objekt, por dihet se në të do të vendosen 4 ministri me rreth 800 zyrtarë. Siç është thënë më herët parashihet që në këtë objekt të vendosen, ministria e administratës publike, ministria e punëve të jashtme, e planifikimit hapësinor dhe ajo e kulturës. /telegrafi/