Site icon Telegrafi

Rikujton ATK-ja: Lëshoni kuponë fiskal edhe për shitjet online

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) me anë të një reagimi publik ka rikujtuar se për të gjitha furnizimet e mallrave apo shërbimeve përmes internetit (online), furnizuesi obligohet të lëshojë kuponë fiskal apo faturë tatimore.

ATK thekson se për furnizimet të cilat bëhen për konsumatorin furnizuesi obligohet të lëshojë kuponë fiskal, ndërsa kur furnizimi bëhet për biznesin furnizuesi obligohet të lëshojë faturë tatimore.

“Kuponi fiskal është i obliguar të lëshohet edhe ne rastet kur pagesa bëhet përmes POS-it bankar apo edhe llogarisë bankare. Printimi dhe dhënia e kuponit fiskal është e obliguar në momentin e regjistrimit të furnizimit në pajisje elektronike fiskale. Pra, aktiviteti i tregtisë përmes internetit (online) obligohet për regjistrimin e transaksioneve përmes pajisjeve elektronike fiskale. Kjo do të thotë se shitësi është i detyruar që kur furnizon mallra dhe/ose shërbime përmes internetit, të lëshojë kuponë fiskal dhe atë t’ia dërgojë klientit së bashku me produktin”, thuhet në reagim.

Çdo qytetar, për të qenë në gjendje që të ushtroj të drejtat e tij si konsumator, ATK thotë se është e rëndësishme të njihet me detyrimet e tij, ku njëra prej tyre është marrja e kuponit fiskal.

“Një kupon fiskal është dëshmi se tatimi është llogaritur dhe paguar për një blerje të caktuar. Këto mjete përmes të hyrave buxhetore kthehen në buxhetin e Kosovës, të cilat më tutje përdoren për ndërtimin e infrastrukturës publike, spitaleve, shkollave, çerdheve për fëmijët, etj., nga të cilat projekte përfitojnë drejtpërdrejt apo indirekt qytetarët. Duke marrë kuponin fiskal, qytetarët marrin pjesë drejtpërdrejt në “luftimin” e ekonomisë së hirtë dhe në këtë mënyrë kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të shtetit dhe të shoqërisë”, përfundon ATK-ja. /Telegrafi/

Exit mobile version