Marco Verratti ka pranuar se nuk ishte i sigurt nëse do të luante në ‘Euro 2020’, ndërsa në sfidën ndaj Uellsit e dëshmoi se e meritonte të ishte në këtë turne.
Mesfushori italian ishte lojtari më i mirë i ndeshjes duke dhuruar edhe asistimin për golin e Matteo Pessinas në Stadio Olimpico.
“Ka qenë vështirë, sepse në fillim nuk e dija nëse do të mund të merrja pjesë në Evropian. E falënderoj ekipin mjekësor dhe trajnerin që më pritën. Ishte një ditë e veçantë dhe jam shumë i gëzuar”, ka deklaruar ylli i Paris Saint-Germainit për RAI Sport.
Verratti ishte në dyshim për ‘Euro 2020’ për shkak se e lëndoi gjurin në muajin e kaluar, ndërsa nuk ishte as në bankën rezervë në takimet ndaj Turqisë dhe Zvicrës.
“Jemi shumë me fat dhe të nderuar që e përfaqësojmë këtë skuadër dhe për dallim nga niveli i klubeve, është një kënaqësi e madhe të jesh këtu, qoftë nëse luajmë ose jo”, ka thënë më tej mesfushori. /Telegrafi/