Donald Trump është shpallur fitues i zgjedhjeve për president të Shteteve të Bashkuara, duke mundur rivalen e tij nga radhët e demokratëve, Kamala Harris, duke u bërë presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
Fitorja e Donald Trump është mirëpritur edhe nga liderët politikë në Kosovë, të cilët uruan presidentin amerikan duke theksuar se SHBA mbetet partner dhe aleat i rëndësishëm për Kosovën.
Rreth fitores së kandidatit republikan, Donald Trump, janë deklaruar edhe analistët në Kosovë, të cilët shprehen të bindur se gjatë administratës së tij mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Analisti Gazmir Raci ka thënë për Telegrafin se marrëdhëniet Kosovë-SHBA janë të thella dhe se gjithmonë ka pasur një bashkëpunim të sinqertë.
“Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë marrëdhënie që janë ndërtuar mbi lirinë, pavarësinë dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, këto marrëdhënie janë ndërtuar edhe mbi demokratizimin e shtetit shqiptar, e kam fjalën për Shqipërinë. Janë të thella, një bashkëpunim i sinqertë dhe një ndihmë e pakursyer nga populli amerikan dhe nga të gjitha partitë politike amerikane”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Raci pohoi se “çështja shqiptare gjithmonë ka pasur mbështetje si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët dhe në përgjithësi nuk pres ndonjë ndryshim të raporteve shqiptaro-amerikane as në të ardhmen”.
Rikthimi i Trumpit në krye të SHBA-ve mund të ketë ndikim edhe në dialogun Kosovë–Serbi, duke krijuar mundësinë për një marrëveshje përfundimtare.
“Mund të ketë ndikim, sepse fuqia e presidentit Trump dihet. Edhe do të ishte mirë që presidenti Trump të shtynte përpara njohjen formale të Republikës së Kosovës nga Serbia, dhe kjo do të mund të ishte fitorja më e madhe që do të mund të nxirrte administrata e Trumpit në raport me bashkëpunimin me popullin shqiptar”, theksoi Raci për Telegrafin.
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Afrim Hoti, ka pohuar gjithashtu se zgjedhja e Trumpit do të ketë ndikim në procesin e dialogut.
“Mendoj që fitorja e Trumpit është lajm pozitiv, për faktin që kjo do ta dinamizojë procesin e dialogut Kosovë–Serbi. Me gjithë respektin për qeverisjen paraprake, administrata e ish-presidentit Joe Biden nuk ka arritur të shtyjë përpara këtë proces. Mendoj që ardhja e Trumpit do të sjellë energji të reja dhe me shpresë do të japë një epilog kësaj çështjeje”, pohoi Hoti për Telegrafin.
Hoti gjithashtu tha se Trumpi do të fokusohet edhe për të ndalur luftën Rusi – Ukrainë, e cila ka ndikim në Ballkan.
“Nuk kam dyshim, sepse marrëveshja përfundimtare Kosovë–Serbi është peng i një konteksti më të gjerë, dhe këtu e kam fjalën për luftën Rusi–Ukrainë. Shpresoj që ajo të marrë një epilog, dhe më pas të ndikojë në Ballkan, ku problemi i parë është çështja Kosovë–Serbi”, përfundoi Hoti.
Ndryshe, Trumpi në fjalimin e tij ka falënderuar mbështetësit dhe gjithë qytetarët amerikanë që kanë votuar pro tij./Telegrafi/