Pas dy dekadave, në ambasadën amerikane në Berlin, në prezencën e të dërguarit special të presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell është nënshkruar marrëveshja me kompaninë gjermane Lutfhansa, për të hapur linjën ajrore Prishtinë-Beograd.
Ambasadori Grenell njofton se kjo nuk marrëveshja e vetme, pasi në fillim të kësaj jave do të ketë takim në Berlin, për arritjen e marrëveshjes tjetër, atë të riaktivizimit të hekurudhës.
Këtë lajm e kishte konfirmuar ambasada amerikane në Beograd, ku me anë të një shkrimi në Twitter ka thënë se palët janë pajtuar që të rivendosin lidhjet hekurudhore.
“Në vazhdën e lidhjes së parë të drejtpërdrejtë ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës në më shumë se dy dekada, Grenell njoftoi sot se të gjitha palët ranë dakord të rivendosin edhe lidhjet hekurudhore. Detajet për t’u negociuar të hënën në Berlin”, thuhet në shkrimin e ambasadës pas takimit ndërmjet ambasadorit Richard Grenell me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përcjell Telegrafi.
Po ashtu, ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, ka autorizuar dy zyrtarë që të jenë pjesë e negociatave për marrëveshjen e mundshme për hekurudhat me Serbinë.
“Në Berlin, pjesë e negociatave për marrëveshjen e mundshme për hekurudhat me Serbinë, me autorizim timin si Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit do të jenë Xhemë Veseli, drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës Rrugore. Ndonëse institucionet tona janë të gatshme në vazhdimësi për kontribut në stabilitet dhe fqinjësi të mirë, theksojmë se çfarëdo marrëveshje që do të arrihet do të jetë vetëm sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrisë, përcjell Telegrafi.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave mbi transportin, Kosova ka 333 kilometër hekurudha dhe qarkullojnë gjithsej 9 lokomotiva.
“Në territorin e Kosovës kemi gjithsej 333 kilometra binar hekurudhor për transport. Në hekurudhat e Kosovës qarkullojnë gjithsej 9 lokomotiva, prej tyre shtatë dizell dhe dy trena motorik. Lokomotivat bartin 10 vagonë për udhëtarë dhe 1,420 vagonë për mallra”, thuhet në raportin e ASK-së, përcjell Telegrafi.
Po ashtu, sipas ASK-së gjatë vitit 2018, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është ishte mbi 120 mijë, ndërsa transporti i mallrave me tren gjatë vitit 2018 ishte është mbi 497 mijë tonelata.
Në anën tjetër, Serbia ka 3,739 kilometër binarë hekurudhor e që qarkullojnë më shumë se 300 lokomotiva.
“Gjatë vitit 2018, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është ishte mbi 16 milionë, kurse transporti i mallrave me tren gjatë vitit 2018 ishte është mbi 12 milionë tonelata”, thuhet në të dhënat e Serbian Railways.
Linja hekurudhore do të jetë e gjatë 148 kilometra. I gjithë projekti do të kushtojë rreth 200 milionë euro dhe pritet të përfundojë në vitin 2024.
Paratë për modernizmin e “Korridorit të 10-të” parashihet të jenë kredi që Kosova do t’i marrë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe donacione nga Bashkimi Evropian. /Telegrafi/