Site icon Telegrafi

Rikthimi i “Kompleksit të Zenonit”

– Mësimi që presidenti Klinton dha për historinë, trashëgiminë dhe politikën, nga një perspektivë humane –

Duke dashur të argumentoja pozicionin e Kosovës karshi procesit të vështirë të përcaktimit të statusit final, si dhe duke i analizuar parimet udhëheqëse të cilat atë e bënin model të veçantë përfaqësimi, në tekstin Kompleksi i Zenonit dhe Kosova, botuar më 2005, provoja që tezën për tekstin ta krijoja duke hetuar pozicionet e ndryshme, si dhe duke i kërkuar fillesat e artikulimit politik të ideve për lirinë nacionale. Këto ide synoja t’i argumentoja duke përdorur një “ilustrim tmerrues”, sipas një modeli antik në një kërkim modern: “kompleksin e Zenonit” ose kërkimin për fatin e lojës si të paracaktuar nga pozicionet fillestare, duke e nënvizuar veçan përcaktimin e qartë të shqiptarëve të Kosovës në kërkim të pavarësisë qysh në fund të viteve ’80.

Tash, përafërsisht katër vite më pas, një personalitet i fuqishëm, me një shigjetë të jashtëzakonshme oratorie, në një të folur praktik, duke i identifikuar shenjat e identitetit të Kosovës, në një dimension tjetër të teorisë së Zenonit na e kujtoi të gjithëve se e ardhmja politike e Kosovës është e mundshme nëse trashëgiminë e krijuar dhe vlerat e saj i shohim si pjesë të kulturës e të historisë që duhet kultivuar, duke nënvizuar – fuqishëm madje – mbështetjen në trashëgiminë politike dhe në vlerat e një modeli përfaqësues.

Bill Klinton, presidenti i 42-të i shtetit me demokracinë më të zhvilluar në botë, në një ditë falënderimesh, tha se kishte mësuar shumë nga një prijës i një vendi të vogël i cili po luftonte për lirinë e tij, por po kaq po luftonte edhe për parimet e përgjithshme të njerëzimit, para së gjithash për lirinë universale, të dyja këto premisa të fuqishme të politikës amerikane. Ky personalitet ishte njeriu i brishtë i Kosovës, prijësi i lëvizjes së saj për pavarësi në fillim të viteve ’90 dhe njeriu i cili politikës ia kishte dhënë dimensionin më të rëndësishëm të saj: karakterin human.

Ky personalitet ishte presidenti historik i Kosovës, dr. Rugova, në profilin politik të të cilit Klintoni, sikur edhe shumica e liderëve botërorë, besoj, gjenin njeriun e parimeve të mëdha humane, para se politike, vizionarin e madh e modeluesin kryeneç të një filozofie politike e cila artikulohej me mjete paqësore. Natyrisht, Presidenti Klinton nuk kishte se si të mos fliste për këto vlera, nëse tërë veprimin e tij politik e kishte mbështetur në parimin themeltar të politikës amerikane nga presidenti Uilson e këtej, shtrirjen e lirisë globale dhe respektimin e të drejtës së popujve për të qenë të lirë.

Por e rëndësishme është mënyra se si ai e artikuloi këtë dhe se si ne qytetarët me identitet të theksuar nacional dhe me identitet të kërkuar shtetëror e përjetuam këtë “mësim historie”.

Së pari, z. Klinton, duke marrë për shembull modelin historik e politik, figurën e presidentit të parë të Kosovës, dr. Rugovës, e krijoi dimensionin zenonian për pikënisjen dhe cakun, si dy segmente që i njeh teoria e Zenonit. Sipas interpretimit tonë, z. Klinton theksoi se e ardhmja politike e Kosovës, ndërtimi i saj i brendshëm dhe refleksioni i saj në stabilitetin rajonal do të varet nga mënyra se si ne e lexojmë historinë, se si i masim shenjat e identitetit tonë politik dhe se si e vlerësojmë peshën e tyre në veprimet tona. Përmasa e këtyre veprimeve do ta kushtëzojë mënyrën e ecjes në histori.

Së dyti, z. Klinton e bëri të qartë: presidenti Rugova identifikon lëvizjen për pavarësi, sikur që lëvizja për pavarësi është e identifikuar kryekreje me përmasën politike dhe sidomos me kulturën politike që ai bartte. Ai foli për të sikur flasim në për të: tha se ai ishte personaliteti më i dashur të cilin kishte pasur rastin ta priste në zyrën ovale, dhe e shprehu admirimin e tij për mënyrën se si ai vepronte politikisht, duke e kultivuar kulturën tradicionale dhe duke e shndërruar atë në premisë për veprim politik. Madje, në një rrëfim personal, ai tregoi se si dr. Rugova i identifikonte mundësitë e bashkëpunimit duke u mbështetur në traditën shpirtërore e në pasuritë e vendit të tij, nga ato etnike te pasuritë gjeologjike. Po kështu, nga ajo sa tha z. Klinton (e, tha shumë, më shumë se të gjithë librat e shkruar për të së bashku, mbase edhe se diskutimet e gjata të pleqve tanë të urtë të cilët flasin për të urtë nën dritë qiriri teksa e ruajnë fotografinë e tij të varur në ballë të oxhakut) nga ajo që ai tha pra doli qartë se Rugova fliste me burrështetas si burrështetas. Dhe pranohej si i tillë gjithandej.

Së treti, është e rëndësishme se z. Klinton nuk i tha të gjitha këto në Nju-Jork, për njujorkezët, dhe aq më pak e tha këtë në katedrat universitare ku ai thirret për të ligjëruar për zhvillimet botërore. Atë e tha në zemër të Prishtinës, në kryeqytetin e Kosovës, në historinë e re të së cilës, sikur e thanë të gjithë, kishte ndikuar fuqishëm edhe vetë z. Clinton dhe ia tha popullit të mbledhur rreth tij, popullit që besonte në vlerat e tij humane, sikur ua tha edhe përfaqësuesve të shtetit, të cilët priren ta krijojnë ose ta ruajnë modelin e përfaqësimit politik. Madje, ai e tha këtë në një moment falënderimi, kur po zbulohej shtatorja e tij në shenjë respekti për rolin e tij në pavarësinë e vendit tonë. Falënderimin ai e ktheu me falënderimin, kujtimin për të e shndërroi në një kremte kujtimesh e falënderimesh duke iu referuar jo më trashëgimisë, sa të ardhmes e cila buron sojesh; tha tërthorazi se kujtesa është respekti për trashëgiminë dhe shqiptarët duhet ta trajtojnë atë së brendshmi: duke e njohur dhe kultivuar, sepse kjo e krijon një premisë të madhe për veprim politik në të ardhmen. Ai dha mesazhe paqeje gjithandej, në kuvend, në shesh, në takime me qytetarë e me shtetarë sipas parimit kenedian, tashmë të kthyer në vlerë humane më shumë se politike: vlerësojeni njeriun dhe shihni çfarë mund të bëni për të.

Dijetari antik grek, Zenoni, nuk e përcaktonte qartë të ardhmen. Ai vetëm nënvizonte se pikënisja është mundësi për ta përcaktuar rrugën dhe fatin përfundimtar. Por, a nuk u rilind edhe një herë teoria e tij në sytë e Billit?!

Kompleksi i Zenonit

Zenoni, njeriu i ditur i antikitetit grek, thoshte se nëse në një garë vrapojnë disa garues, gjithnjë është i rëndësishëm pozicioni fillestar nga i cili nisen ata. Sipas tij, kjo ndikon drejtpërsëdrejti në rezultatin përfundimtar të vetë garës. Zenoni e zhvilloi teorinë e tij duke u mbështetur në “gjendjet e skajshme”: në njërën anë, ai e mori shembull Akilin, “këmbëlehtin” e Homerit, ose atë që njihej si vrapuesi më i shpejtë në Greqinë antike, kurse përballë tij e vendosi breshkën, simbolin e ngathtësisë.

Shpikësi i teorive, Zenoni, kishte menduar se si ta bënte garën të denjë edhe për një vrapues si Akili. Duke e njohur ngathtësinë e breshkës, i dha mundësi asaj që të nisej 100 metra para Akilit, ndërkohë që caku ishte i njëjtë për të dy. Sipas teorisë së Zenonit, kur Akili të ketë vrapuar 100 metra breshka do t’i ketë bërë edhe dhjetë metra, kështu që do të ishte dhjetë metra para Akilit, ndërsa kur Akili t’i ketë kaluar edhe dhjetë metrat që i kishte avantazh breshka, ajo do të ketë bërë edhe një metër, e kështu me radhë deri në fund, distanca do të zvogëlohej, por caku do të afrohej gjithnjë e më shumë….

Exit mobile version