Site icon Telegrafi

Rikthimi i AC/DC-së

AC/DC (nga e majta në të djathtë): Cliff Williams, Brian Johnson, Angus Young, Phil Rudd dhe Stevie Young (foto: Josh Cheuse)

Basisti u largua, këngëtari humbi dëgjimin, bateristi ishte në arrest shtëpie dhe anëtari themelues, Malcolm Young, vdiq nga demenca. Por, AC/DC… janë rikthyer. Pjesë të shkrimit të gazetarit Michael Hann, të publikuar në ditoren Guardian, Telegrafi sjell më poshtë.

Në fund të koncertit të AC/DC-së, Angus Young e ka një rutinë. Pas disa orëve me lëvizje të përhershme, me veshjen e tij shkollore, ai shkon drejt dushit dhe, më pas, meqë nuk ka qenë në gjendje të hajë që nga mesdita – nuk mund të bësh koncert të AC/DC-së me stomakun e plotë – kërkon ushqim. “Gjëja e parë që futet në kokën time është: Po vdes nga uria.”

Kur u largua nga skena e Qendrës “Wells Fargo” në Filadelfia, më 20 shtator 2016 – natën e fundit të turneut “Rock or Bust” – mbase atë rutinë e ka kaluar për herën të fundit në historinë e atëhershme 43-vjeçare të grupit. 23 koncertet e fundit ishin përfunduar me Axl Rose-in si këngëtar (duhet thënë, në mënyrë të shkëlqyeshme), pasi problemet e dëgjimit e kishin detyruar këngëtarin Brian Johnson të tërhiqej nga rrugëtimi. Thjesht, nuk mund ta gjente tonaliltetin dhe çdo koncert ia bënte më të dobët dëgjimin. Atë verë, basisti Cliff Williams kishte thënë se edhe ai do të largohej nga grupi. Bateristi Phil Rudd nuk ia doli të jetë në turne, pasi u përfshi në atë që Young e kishte quajtur “punë kastraveci”: u akuzua nga një gjykatë e Zelandës së Re për tentim-vrasje të ndihmësit të tij personal, plus për posedimin e metamfetaminës dhe kanabisit. Vëllai i Angus-it, Malcolm-i – de facto udhëheqësi i grupit – ishte larguar tashmë, për shkak të çmendurisë, për t’u zëvendësuar nga nipi i tyre Stevie. Pak më shumë se një vit pas koncertit final, Malcolm-i vdesë.

Pra, kur në shtator 2018 dolën fotot e AC/DC-së – përfshirë Johnson-in, Williams-in dhe Rudd-in – në një studio në Vankuver, kjo dukej si mrekulli. Johnson-i, dëgjimi i të cilit është më i mirë falë asaj që ai i quan “veshët protezë”, pajtohet me këtë. “Thjesht e tregon aftësitë ripërtëritëse dhe lidhjen që ekziston mes nesh. Hymë në studio dhe ju mund ta ndjenit elektricitetin në ajër. Dhe, sigurisht, Malcolm-i ishte atje. Ishte atje me një frymë aq të fortë, saqë ishte i dukshëm. Mendoj se të gjithë mund ta ndiejmë atë”.

Kur Williams u pyet nëse kishte pritur të ndodhte kjo, përgjigjja e tij është: “Jo”, dhe shpërthen në të qeshura. Por, Young – që nga largimi i Malcolm-i është mbreti i padiskutueshëm i grupit – thotë se gjithmonë kishte menduar se historia e tyre nuk ka përfunduar. “Kuptova, në një moment, se kompania e regjistrimeve ose dikush do të më thoshte: ‘A mendon se mund të bësh diçka?’ ‘Kështu që e kisha këtë në pjesën e pasme të kokës”.

Por, ja ku jemi me “Power Up”-in, studio-albumin e 17-të që është pak më i mirë sesa dikush mund të mendojë. Do të ishte e paarsyeshme të prisnim një “Powerage” tjetër, “Highway to Hell” ose “Back in Black” në këtë pikë, por “Power Up” është vërtetë album i mirë, shumë më i mirë se disa të fundit. Ka edhe befasi: “Through the Mists of Time”…

“Kam mornica kur e dëgjoj këtë këngë”, thotë Johnson. “Mund ta dëgjoj Malcolm-in përmes asaj kënge. Është një kthim në ditët kur rokënroli ishte shumë argëtues e ne ishim më të rinj dhe dukej sikur asgjë nuk do të mbaronte dhe se gjithmonë do të ishte jeta si në fillim të viteve 1980… Ndaj, kur e dëgjoj, është pothuajse si udhëtimi në kohë”.

Origjina e albumit “Power Up” daton që nga vitet e para të këtij shekulli. Pas përfundimit të turneut “Stiff Upper Lip”, më 2001, grupi kishte pushuar për shtatë vjet, por Angus-i dhe Malcolm-i vendosën të punojnë për të shkruar jo vetëm këngë të tëra. Young thotë se kaluan pesë vjet në studio duke grumbulluar materiale për albumin “Black Ice” të vitit 2008..

A ishte diagnostikuar Malcolm-i me demencë? A po grumbullonin materiale kundër ditës kur ai nuk do të ishte më në gjendje të shkruante?

“Kishte momente të çuditshme gjatë asaj kohe… mund të shihnit se diçka nuk ishte në rregull. Por, ende e mbante veten mirë”, thotë Young. “Kështu që, për këtë album isha i vendosur të përdorja disa nga idetë për të cilat ai kishte bërë shumë përpjekje”.

Young thotë se shkoi në studio për të bërë “Power Up”-in me këngët – të gjitha nga Young dhe Young – edhe pse Williams-i ka një kujtim pak më ndryshe: “Ang dhe Mal kishin një mal me ide për rifet dhe gjërat që Angus i nxirrte. I identifikoi 12 prej tyre dhe ne i përpunuam në studio”.

Johnson shton: “Kur ishim në studio dhe po provoja të këndoja disa rreshta, thjesht më ndizej diçka në mendje: ‘A e dëshironte kështu Malcolm-i këtë këngë?’ Ishte karakter i fortë. E meritonte respektin pa u munduar për të. Dhe, edhe pse nuk është më me ne, është ende atje”.

Identifikimi i e AC/DC-së nuk është veç te rifat, uniforma e shkollës dhe volumi. Është gjithashtu sensi i shoqërisë që e projektojnë. Kjo nuk do të thotë se të gjithë kanë qenë miqtë më të mirë që nga dita kur u takuan (megjithëse Williams dhe Johnson janë shumë të afërt), sepse vëllezërit Young ishin gjithmonë të pamëshirshëm në vendimet e tyre për atë që ishte më e mira. Por, AC/DC përfaqëson një vend dhe koncertet e tyre ishin e vetmja gjë me rëndësi. Ngjarjet e vitit 2016 e ndryshuan këtë, veçanërisht me deklaratën e shkurtër që njoftonte largimin e Johnson-it. Një mik i Johnson-it i tha shtypit se këngëtari ndjehej “i shkelur”.

“Gjithmonë mund të kesh në mendje një gjë se mund të ishte bërë më mirë”, pranon Young. “Por, situata ishte: çfarë të bëjmë në rast urgjence?”

Johnson-i e lëshoi ​​një deklaratë duke mohuar se ishte mënjanuar dhe tani thotë se e mbështeste vendimin e grupit për të vazhduar pa të. “Ishte ndjenjë e tmerrshme kur i zhgënjen djemtë e grupit”, thotë ai. “Po e zhgënjen veten, lojtarët, dhe besimi yt përmbyset. Nuk mund ta kesh këtë në një grup si AC/DC ku duhet të jesh sulmues dhe në qendër. Nuk mund të fshihesh pas Angus-it gjatë gjithë kohës. Trupi ka dështuar: kjo u ndodh futbollistëve, sportistëve… Ishte radha ime dhe kaq”.

Pastaj ishte Williams-i ai që u largua, duke e shndërruar turneun në një makth. Goditja tjetër vjen me Rudd-in, sepse askush nuk mund ta kishte tingullin e tij për tupanat. Johnson thotë: “Kur bëhen bashkë Cliff-i dhe Phili-i, njeri, është vështirë të gjesh diçka si kjo”.

Kur dolën raportet për krimet e tij – përfshirë akuzën për tentim-vrasje e cila u tërhoq për mungesë provash – grupi u trondit. “Isha duke pirë një filxhan kafe”, thotë Johnson. “Dhe, Phil-i ishte në ekran. Thash: ‘Çka?’ Phil ishte në gjendje të keqe atëherë. Po merrte disa kokteje të këqij [të drogës] ose diçka tjetër”. Në fakt, fotot në kohën e arrestimit e shfaqën një burrë tërësisht të dërrmuar. U dënua me tetë muaj arrest shtëpie. “Ky nuk ishte Phil-i që ne e njihnim. Është djali më qesharak, më i pastërti që njoh. Isha kaq i trishtuar. Por, fatmirësisht tash është në rregull”, shton Johnson.

Kthimi i Rudd-it ndodhi përmes funeralit të Malcom Young-ut, në shtator 2017. “E pash Phil-in në funeralin e Malit dhe dukej shumë mirë”, thotë Angus. “Më tha se kishte punuar me ata tipat e rehabilitimit dhe se ende ka kontakte me njerëzit që e ndihmonin. I thashë: ‘Sapo ta mbledh materialin, do të lidhemi’”.

Dikush mund të mendoj se mbledhja e grupit kërkonte reagimin e Angus-it. Por, është gabim.

“Angus bisedoi me menaxhmentin dhe menaxhmenti ra në kontakt me secilin prej nesh”, thotë Johnson. Young – duke folur në një telefonatë tjetër – e paraqet këtë pak më ndryshe. “Brian më ka thënë se nëse bëj diçka dëshiron të jetë i përfshirë”.

Pasi u mblodhën, u stabilizuan menjëherë. “Ishte e natyrshme”, thotë Williams. “Kemi qenë së bashku kaq gjatë”.

Angus Young mund të kishte bërë “Power Up”-in me Stevie Young-un plus me një këngëtar tjetër dhe instrumentistë të angazhuar. Sepse, brendi AC/DC ka mbijetuar nga përmbysjet që shkatërruan grupet e mëdha, veçanërisht nga vdekja e paraardhësit të Johnson-it, Bon Scott, në shkurt të vitit 1980. Kështu, koncertet e vitit 2016 me Axl Rose-in (Chris Slade ishte në tupana) ishin fantastike. “Nuk e njihnim Axl-in”, thotë Williams, “por, e bëri një punë të shkëlqyeshme”. Thotë se “ishte një vibrim tjetër” “se Axl-i ishte për respekt e se punoi me shumë përkushtim”.

Por, për një album të AC/DC-së duhej një lidhje me historinë e grupit e jo vetëm me Angus Young-un. Williams thotë se “po të mos ishin Brian-i dhe Phil-i, nuk do të isha as unë”.

A beson Young-u se mund ta kishte bërë “Power Up”-in pa ta?

Përgjigja e tij shkon përsëri te Malcolm-i dhe reflekton tingujt unikë të kitarës së Pete Townshend-it dhe Keith Richards-it e nuk ka asnjë lidhje me pyetjen që ia bëra. Ai bën me dije se e dinte se duhej t’i ketë me vete, por nuk e thotë këtë.

Me albumin e kryer, iu desh të përpunonin edhe në një gjë të fundit: a do të mund të këndonte Johnson-i, në koncerte?

“Të gjithë u mblodhëm në Holandë në një vend për prova. I donim kushtet e fushëbetejës”, thotë Johnson-i. “Djemtë u vendosën prapa e unë me këto protezat që ma ndryshuan jetën. Mund të dëgjoja gjithçka. Nuk e besoni se çfarë ndjenje është”.

“Kështu, e kënduam një këngë dhe ai ishte në rregull”, kujton Young. “Donte të bënte më shumë. Kjo është gjëja më e çmendur që kam parë në vite. “

Sigurisht, gjendja e tashme e botës do të thotë se duhet të presim edhe pak për turne. Por, një ditë, dhe shpresojmë shumë shpejt, do të vijë ora njëmbëdhjetë e natës dhe një Angus Young i dërrmuar do ta lë skenën i veshur vetëm me pantallona të shkurtra, çorape dhe këpucë, flokët e çaraveshura… Do ta bëjë një dush dhe do të pyesë se çfarë mund të hajë. /Telegrafi/

Exit mobile version