Telegrafi

Rikthim sensacional i Prishtinës për ta mposhtur Trepçën

Në fillim të lojës, Trepça u tregua skuadër më e fortë dhe më e organizuar, teksa bombardoi Prishtinën me trepikësha, kryesisht të shënuar nga Gazmend Asllani.

Por, këtë gjë nuk e lejoi të përsëritej trajneri i Prishtinës, Arben Krasniqi, i cili ia dha për detyrë Edmond Azemit që ta mbulojë Asllanin në çdo pjesë të fushës. Si duket ky vendim ishte edhe çelësi i fitores së Prishtinës.

Në vazhdim takimi u zhvillua me një intensitet më të dobët dhe me shumë gabime në gjuajtje të të dyja skuadrave. Por aty ishte plejmejkeri i Prishtinës, Devan Downey, që ia ndezi motorët skuadrës mysafire me shënimet dhe depërtimet e tij dhe i ndihmoi kryeqytetasit që ta mbyllin takimin me rezultat përfundimtar 64-69.

Për kryeqytetasit u dalluan Downey me 23 pikë, Fahri Breca me 13 sosh dhe Fisnik Rugova kontribuoi me pesë bllokada. Ndërsa për Trepçën u dalluan Dennis Mims dhe Gazmend Asllani. /Telegrafi/