Telegrafi

Rikthim sensacional i Bayernit

Porsa filloi ndeshja (2’), Wayne Rooney u regjistrua në listën e golashënuesve duke mposhtur portierin Butt pas një harkimi të bukur të Nanit.

Deri në fund të fraksionit të parë nuk u shënua gol, ndërsa skuadrat zhvilluan një lojë relativisht të baraspeshuar dhe me epërsi minimale të mysafirëve përfundoi pjesa e parë.

Në pjesën e dytë u shfaq një Bayern ndryshe. Ekipi bavarez filloi të krijojë presion të vazhdueshëm drejt portës mysafire dhe në fund kjo u shpagua.

Pas një gjuajtje të lirë nga lojtari më i mirë i vendasve në këtë takim, Franck Ribery, topi u devijua dhe përfundoi në portën e Van der Sar (77’).

Një rast shumë të mirë për United e pati Nemanja Vidic, i cili pas krosimit të Ryan Giggs nga këndi, goditi transversalen (83’), por në anën tjetër një rast shumë të mirë e pati Mario Gomez, mirëpo priti portieri mysafir.

Ndërkohë, në minutat shtesë të takimi (90’+3), Ivica Olic veproi në mënyrën më të mirë duke vjedhur një top nga Evra dhe duke e plasuar në rrjetin e United, për fitoren 2-1.

Ky rezultat tregon se në Old Trafford do të zhvillohet një superndeshje, duke qenë se Bayerni është në epërsi, ndërsa Manchesteri do të kërkojë fitoren. /Telegrafi/