Telegrafi

Rikthim i jashtëzakonshëm i Llapit, pozita e parë është për ta

Llapi ka triumfuar me rikthim ndaj Vllaznisë së Pozhoranit për ta rikthyer edhe pozitën e parë në tabelë.

Bardh e kaltërtit triumfuan lehtësisht me rezultat 4-1 falë një pjese të dytë të jashtëzakonshme.

Skuadra mysafire e befasoi Llapin qysh në minutat e para të ndeshjes duke kaluar në epërsi.

Ishte Festim Alidema që shënoi në minutën e 12-të për 0-1, duke befasuar vendasit.

Me epërsinë minimale të Vllaznisë 0-1 përfunduan 45 minutata e para të kësaj sfide.

Por Llapi nuk u dorëzua dhe bëri një rikthim të madh në pjesën e dytë.

Ishte mesfushori ofensivë, Mentor Zhdrella që barazoi rezultatin në 1-1 pas 72 minutave lojë.

Mentor Zhdrella u tregua deçiziv për vendasit pasi në minutën e 81-të shënoi golin e dytë personal i cili ishte edhe i epërsisë për llapjanët.

Ndërkohë golin e tretë në këtë sfidë e shënoi sulmuesi më i mirë i vendasve, Mirlind Daku tre minuta para fundit të ndeshjes.

Goli i katërt është realizuar krejt në fund të ndeshjes nga mesfushori Edon Zeqiri.

Pas kësaj fitore, skuadra e Tahir Batatinës rikthehet në krye të tabelës me 26 pikë të tubuara, një më shumë se Prishtina në pozitën e dytë.

Në javën e ardhshme, lideri luan në udhëtim te Gjilani, ndërkohë Vllaznia do të jetë nikoqire e Vëllaznimit. /Telegrafi/