Telegrafi

Rikthim fantastik nga Atalanta, Roma rrëshqet në Bergamo (Video)

Roma ka pësuar një humbje të merituar në udhëtim tek Atalanta.

Pasi shkëlqyen në pjesën e parë, Roma lëshoi lojën nga dora dhe pësoi dy gola për të humbur me rezultat minimal 2-1 nga Atalanta.

Mysafirët ishin më të mirë në 45 minutat e para të ndeshjes ku shënuan edhe një gol.

Fillimisht rrezikoi egjiptiani, Mohamed Salah kur doli përballë Etrit Berishës por që shqiptari priti me mjaftë sukses.

Salah dështoi edhe dy herë të tjera përballë Berishës, para se të fitoi një penalti kur goditjen e tij e ndali me dorë mbrojtësi brazilian Toloi.

Diego Perotti në një duel gjatë pjesës së parë të ndeshjes Atalanta – Roma

Nga pika e bardhë i saktë ishte sulmuesi argjentinas Diego Perotti në minutën e 40-të.

Në pjesën e dytë ishin vendasit të Atalantës që dominuan dhe sulmuan vazhdimisht Romën.

Ishte minuta e 62-të e takimit, kur mbrojtësi Mattia Caladra pasi depërtoi në zonë shënoi për ta barazuar rezultatin në 1-1.

Po luhej minuta e fundit e ndeshjes, kur Leandro Paredes shkaktoi një penallti ndërsa Kessie shënoi për fitoren e madhe të Atalantës 2-1.

Pas kësaj humbje Roma mbetet në pozitën e dytë por tani me shtatë pikë më pak se lideri Juventus.

Ndërkohë Atalanta e portierit shqiptar Etrit Berisha zë pozitën e pestë në tabelë me 25 pikë të tubuara. /Telegrafi/