Llapi ka arritur të marrë një fitore të ‘çmendur’ në kryeqytet ndaj Prishtinës, pasi ka përmbysur rezultatin në minutat e fundit të ndeshjes 1-2.
Ndeshja nisi me intensitet të lartë me dy skuadrat që krijuan disa raste të mira shënimi.
Por minuta e 20-të ishte vendimtare për skuadrën vendase, pasi Ante Coric pengoi në zonë Lorik Boshnjakun duke shkaktuar penallti.
I saktë nga pika e bardhë për kryeqytetasit u tregua mbrojtësi i djathtë Besnik Krasniqi që shënoi për 1-0.
Deri në fund të pjesës së parë, Alidema rrezikoi për Llapin, derisa Kryeziu e Mankenda shpërdoruan raste për Prishtinën.
Kësisoj 45 minutat e para përfunduan me epërsinë e vendasve 1-0.
Llapi e nisi me shumë vrull pjesën e dytë, kur iu afrua golit në minutën e 50-të me Selmanin, por që goditja e tij u ndal nga shtylla.
Në minutën e 64-të Prishtina shënoi me Otto John, por që ky gol u anulua për pozicion jashtë loje.
Prishtina mbeti me një futbollist më pak në minutën e 88-të, kur Guathier Mankenda u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja.
Epërsinë numerike në fushë e shfrytëzoi për mrekulli Llapi, që në minutën e 93-të barazoi me Kastriot Selmanin pas asistimit nga Valmir Veliu 1-1.
Dy minuta më vonë, Llapi kompletoi rikthimin fantastik në kryeqytet, kur Valmir Veliu realizoi për t’i dhënë tri pikë të mëdha llapjanëve.
Edhe pse vendasit tentuan të barazojnë, një gjëje të tillë nuk ia arritën dhe Llapi arkëtoi tri pikë në kryeqytet.
Pas kësaj fitore, Llapi ngritët në vendin e nëntë me nëntë pikë, derisa Prishtina mbetet e gjashta me 10 pikë.
Prishtina në xhiron e ardhshme do të pres skuadrën e Malishevës në kryeqytet në sfidën që zhvillohet në mesjavë.
Ndërkohë Llapi në mesjavë do të jetë mysafirë i Ulpianës në kuadër të xhiros së 10-të. /Telegrafi/