Site icon Telegrafi

Rikthim fantastik, Chelsea kandidat serioz për titull në Angli (Video)

Chelsea ka arritur ta shënojë një fitore tejet të madhe në udhëtim te Manchester City.

Skuadra londineze ishte në disavantazh 1-0 në pjesën e parë, mirëpo riktheu gjithçka në të mirë të saj në 45 minutat e fundit duke shënuar tre gola për fitoren 1-3.

Ndeshja filloi me një minute heshtje për tragjedinë që i ndodhi skuadrës braziliane, Chapecoense.

Dy skuadrat duke mbajtur një minutë heshtje për tragjedinë që i ndodhi skuadrës braziliane Chapecoense

Në pjesën e parë më të mirë ishin vendasit, të cilët rrezikuan disa here portën e mysafirëve.

Raste të mira shënimi kishte sulmuesi Kun Aguero, i cili rrezikoi në minutën e 21 dhe 34, por pa sukses.

Përshëndetja mes dy trajnerëve, Antonio Conte dhe Pep Guardiola

Një rast të mirë shënimi e pati edhe mesfushori brazilian, Fernandinho, mirëpo Thibaut Courtois ishte në vend.

Kur skuadrat po bëheshin gati të shkonin në pushim, erdhi edhe goli i parë në ndeshje. Mbrojtësi serb Aleksandar Kolarov harkoi në zone, ndërsa Gary Cahill në tentim për ta larguar topin e dërgoi atë në rrjetë duke kaluar Cityn në epërsi.

Momenti kur Cahil shënoi autogol

Por, trajneri italian i Chelseat, Antonio Conte, u tregua edhe një herë i madh në zëvendësime.

Festa e lojtarëve të Cityt pas golit të epërsisë

Conte largoi nga loja Pedro Rodriguezin, për ta futur në fushë brazilianin Willian dhe ky zëvendësim doli i qëlluar.

Blutë arritën ta barazonin rezultatin në minutën e 60-të falë një bashkëveprimi mes Cesc Fabregas me Diego Costan ku ky i fundit mposhti portierin Bravo për 1-1.

Diego Costa duke shënuar golin e barazimit 1-1

E barazimi i motivoi më shumë futbollistët mysafirë, të cilët arritën të shënonin edhe një gol tjetër pas 10 minutave.

Një kundërsulm i shpejtë i mysafirëve, bëri që topi të shkonte deri te Diego Costa që asistoi bukur te mesfushori brazilian Willian, i cili shënoi pa ndonjë problem për 1-2.

Willian dhe Costa festojnë golin e epërsisë 1-2

Deri në fund të ndeshjes, City tentoi të barazonte rezultatin, mirëpo nuk ia arriti të bënte diçka të tillë.

Ndërkohë, në minutën e fundit, mesfushori fantastik belg, Eden Hazard, shënoi për rezultatin përfundimtar 1-3.

Pas kësaj fitoreje, Chelsea mbetet në pozitën e parë në Ligën Premier me 34 pikë të tubuara, katër më shumë se Manchester City dhe Liverpooli (që ka ka një takim më pak të zhvilluar). /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=9CSeObMaki4

Exit mobile version