Trepça ’89 ka bërë një rikthim të pabesueshëm në duel ndaj Ballkanit, ku ishte duke humbur 0-3 dhe në fund fitoi 4-3.
Ndeshja nisi më mirë për vendasit që kishin iniciativën në fillim të ndeshjes dhe rrezikuan të parët.
Milot Avdyli pati rast të mirë shënimi, por që goditja e tij shkoi jashtë portës.
Lideri aktual i Superligës, Ballkani gjeti golin e epërsisë në minutën e 30-të me Nazmi Gripshin që shënoi një gol spektakolar nga distanca për 0-1.
89-shi tentoi të rikthehet në lojë, por ishte e pamundur përballë mbrojtjes së fortë të Ballkanit në pjesën e parë.
Kësisoj 45 minutat e para përfunduan me epërsinë minimale të mysafirëve 0-1.
Pjesa e dytë nisi edhe më mirë për Ballkanin, pasi realizuan menjëherë për 0-2.
Ishte super talenti i tyre, Ermal Krasniqi që me një goditje të saktë brenda zonës shënoi golin e dytë në këtë sfidë.
Ballkani nuk u ndal dhe realizoi edhe golin e tretë, ku top shënuesi i ligës, Mirlind Daku shënoi në minutën e 54-të.
Suharekasit u vetëkënaqën me epërsinë e trefishtë ndërsa vendasit nuk u dorëzuan në asnjë moment.
Në minutën e 65-të filloi rikthimi i çmendur nga vendasit, kur fillimisht Bissmark pasi depërtoi shumë mirë brenda zonës realizoi për 1-3.
Nëntë minuta më vonë, Bissmark asistoi për mrekulli te Rilind Nimani i cili shënoi një gol të jashtëzakonshëm për 2-3.
‘Xehetarët’ nuk i ndalën sulmet në drejtim të portës së Ballkanit dhe në minutën e 80-të shënuan edhe golin e tretë.
Një aksion i mirë nga krahu i djathtë bëri që Adenis Shala të asistoi për mrekulli te Bissmark i cili shënoi me lehtësi për ta barazuar rezultatin në 3-3.
Sulmuesi afrikan pati një tjetër rast të mirë, por që goditja e tij nga vija e 16 metërshit shkoi jashtë portës.
Futbollistët mysafirë dukeshin të humbur në fushë gjatë kësaj kohe, teksa ata vendas ishin të jashtëzakonshëm.
Në minutën e 93-të, Bissmark arriti të kompletoj het-trikun e tij dhe ta bëjë njërin nga rikthimet më të çmendura në futbollin kosovar.
Afrikani realizoi në tentimin e dytë me kokë për të ngritur në trans të pranishmit në stadiumin ‘Riza Lushta’.
Kësisoj 89-shi mori njërën nga fitoret më spektakolare në vitet e fundit në Superligë dhe tani zë vendin e gjashtë në tabelë me 11 pikë.
Në anën tjetër Ballkani vazhdon të mbetet në krye të tabelës me 19 pikë pas tet takimeve. /Telegrafi/