Site icon Telegrafi

Rikthehet Shehrazade në ‘1001 Nights: The Last Chapter’, shfaqje madhështore në Emiratet e Bashkuara Arabe

Të martën me 23 Prill në Emiratet e Bashkuara Arabe, mbretëresha legjendare Shehrazade dhe tregimet e saj për mbretin u rikthyen në jetë në një formë si asnjëherë më parë, në një shfaqje madhështore në amfiteatrin “Al Majaz”.

Me rastin e përzgjedhjes së Sharjah si fitues i çmimit “World Book Capital 2019” nga UNESCO, autoritetet e larta kanë organizuar një shfaqje teatrale muzikore, duke mbledhur një produksion dhe artistë të famshëm nga e gjithë bota.

Inspiruar nga epoka legjendare e botës arabe dhe antologjia e përrallave popullore “Një mijë e një netë”, mbretëresha Shehrazade u rikthye edhe një herë për t’i treguar historinë e fundit mbretit të saj përmes shfaqjes ‘1001 Nights: The Last Chapter’ apo “1001 Netë: Kapitulli i fundit”.

Një bashkëpunim i 537 artistëve dhe akrobatëve, inovatorëve, teknologëve dhe tregimtarëve nga 25 nacionalitete të ndryshme, një orkestër dhe muzikë e kompozuar veçanërisht për këtë shfaqje dhe ambienti ngrohtë i amfiteatrit gjigant të inspiruar nga koloseumet e perandorisë romake, bënë që zemrat e të pranishmëve të përjetonin një ndjenjë unike.

Për të sjellë në jetë këtë kryevepër teatrale përgatitjet kanë filluar pothuajse qe një vit. Artistët kanë kaluar mbi 500 orë duke u trajnuar, përkthyesit kanë qenë në gatishmëri për të përkthyer shfaqjen në kohë reale në tri gjuhë të ndryshme: arabisht, anglisht dhe frëngjisht dhe çdo detaj tjetër ka qenë i menduar vetëm që mysafirët të cilët kishin ardhur nga e gjithë bota të shijojnë plotësisht një orë e gjysmë nga shfaqja përrallore.

Inagurimi i kësaj shfaqje u bë nga Sheiku Dr.Sulltan bin Mohamed Al Qasimi, Anëtar i Këshillit të Lartë dhe Sundimtar i Sharjahut së bashku me Ernesto Ottone nga UNESCO.

Gjatë fjalimit të tij Sheik Dr.Sulltan bin Mohamed Al Qasimi u shpreh: “Unë nuk mund ta shpreh plotësisht lumturinë time që jam i pranishëm këtu me ju sot dhe po ju ofroj mirëseardhje në ceremoninë e festimit të çmimit “Sharjah World Capital Book 2019”. Unë qëndroj para jush dhe jam pothuajse i sigurtë se po vizualizoj etërit tanë të mëdhenj, shkencëtarët dhe mendimtarët, duke mbushur bibliotekat e botës me dije, duke ndriçuar një dritë në rrugën e njerëzimit dhe duke na lënë një trashëgimi kulturore me të cilën jemi krenarë.

Ai gjithashtu shtoi: “Ky titull do të na inkurajojë të vazhdojmë të mbështesim iniciativat që synojnë përhapjen e njohurive dhe ndërtimin civilizimet, duke e bërë Sharjahun djep të rilindjes kulturore”.

Këtë shfaqje Sharjah padyshim do ta ketë si një vulë të përjetshme e një momenti historik kulturor dhe e cila do të jetë shembull për tërë botën. Me punën e palodhshme në fushën e kulturës dhe edukimit ky vend po bëhet dita e ditës një model shembullor, bartës i një mesazhi humanitar me vullnet të mirë, paqe dhe tolerancë.

Exit mobile version