Site icon Telegrafi

Rikthehet ngrohja për lagjen “Dardania” dhe “Qendër”

Pas një pune intensive ekipet e terrenit të “Termokos”-it, kanë arritur që në orët e paradites së sotme, në afat shumë të shpejtë të sanojnë rrjedhjen, që është evidentuar në gypin magjistral, që furnizon me ngrohje lagjen “Dardania” dhe “Qendër”.

Ndërprerja e përkohshme e ngrohjes është bërë mbrëmë në orët e vona të natës pasi ekipet profesionale kanë konstatuar se bëhet fjalë për një rrjedhje në gypin magjistral, e cila rrezikonte që pa ngrohje të mbeteshin konsumatorët e katër lagjeve që furnizohen me ngrohje nga “Termokos”. Kështu që, ka qenë e domosdoshme një ndërprerje urgjente e përkohshme për një pjesë të lagjes “Dardania” dhe “Qendër”, në mënyrë që të krijohen kushtet për intervenimin e ekipeve për të sanuar rrjedhjen e evidentuar. Ndërprerja ka qenë e përkohshme, intervenimi ka qenë shumë i shpejtë dhe i suksesshëm, si rezultat i të cilit është sanuar problemi dhe tanimë edhe për konsumatorët e këtyre dy lagjeve është rikthyer furnizimi me ngrohje.

Andaj, është shumë i pavend, tendencioz dhe spekulativ konstatimi i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit se ngrohja është ndalur me urdhra. Dihet botërisht se NP “Termokos” posedon një rrjet të stërvjetëruar të viteve të ’70-ta. Problemet me rrjetin dhe rrjedhjet nuk janë fshehur asnjëherë, por janë bërë publike për gjithë konsumatorët dhe opinionin e gjerë me kohë, ashtu siç kemi bërë edhe gjatë ditës së djeshme, kur kemi paralajmëruar se për shkak të rrjedhjes së evidentuar do të ketë një ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ngrohje për lagjen “Dardania” dhe “Qendër”.

Kryeshefi Ekzekutiv, Naser Canolli, që nga dita e parë e marrjes së mandatit është angazhuar për përmirësimin e mëtutjeshëm të shërbimeve të ngrohjes për konsumatorë, pavarësisht tentativave për ta penguar me vizita të paparalajmëruara dhe të mbështetura nga grupe militantësh të oponentëve politik. /Telegrafi/

Exit mobile version