Telegrafi

Rikthehet në punë njësia B1, stabilizohet furnizimi me energji elektrike

“Njësia B1 e TC “Kosova B” është futur në prodhim mbrëmë rreth orës 3 e 14 minuta”, tha Nezir Sinani, zëdhënës në KEK.

Sipas tij me kthimin e kësaj njësie, është ndaluar edhe importi i energjisë.

"Momentalisht në prodhim janë dy njësitë e TC “Kosova B”, njësia B1 dhe ajo B2 si dhe njësia A3 e TC “Kosova A””.

Sinani po ashtu tha, se me kapacitetin që ka momentalisht KEK-u në dispozicion, janë zbutur dukshëm edhe reduktimet për të gjitha kategoritë.

“Kategoria A do të furnizohet 24 me zero, ajo B, 5 me 1 ndërsa kategoria C, 4 me 2. Gjatë ditës edhe për kategorinë B dhe C do të ketë furnizim më të mirë”.

Ndërkohë sipas Sinanit, njësia A3 e TC “Kosova A”, do të jetë në prodhim deri me datë 8 të këtij muaji kur edhe pritet të fillojë importi i energjisë.

Rënia nga sistemi e njësisë B1 të TC “Kosova B”, fundjavën e kaluar, la në terr tërë vendin. Për të zbutur gjendjen energjetike në vend, KEK-u kishte nxjerrë nga remonti vjetor, njësinë A3 të TC “Kosova A”, e cila ka qenë e paraparë të kthehet në prodhim me 1 shtator, si dhe kishte filluar importin e 170 megavatëve. /Telegrafi/