Site icon Telegrafi

Rikthehet mbreti James, Cleveland triumfon pa problem

Pas ndeshjes pushim, ku Cleveland u thye nga Houston, LeBron James u kthye në parket, duke udhëhequr Cavaliers drejt suksesit 107-87 ndaj Brooklyn Nets.

King James realizoi 24 pikë dhe 11 asist, duke kaluar Dominique Wilkins në vendin e 12-të të renditjes speciale për pikë shënuesit më të mirë në historinë e NBA-it. Një arritje e madhe për LeBron, edhe sepse Wilkins ishte ylli i Atlanta Hawks, që ashtu si “I përzgjedhuri” ishte spektakolar në parket dhe vrasës poshtë koshit.

Sfidat e tjera të basketbollit amerikan ndikuan që lufta për vendet e fundit në fazën play-off të bëhet edhe më interesante në të dyja Konferencat. Në Lindje, Chicago Bulls e ngushtuan vetëm me një ndeshje disavantazhin nga Indiana Pacers e vendit të tetë. Pas suksesit në sfidën direkte, Bulls triumfuan edhe përballë Houston Rockets me rezultatin 103-100. Butler ishte sërish vendimtar me 21 pikë, ndërsa Nikola Mirotic i aktivizuar nga stoli realizoi 28. Chicago favorizohet edhe nga disfata 114-94 e Indiana-s përballë Orlando. Magic regjistruan fitoren e tretë radhazi falë 25 pikëve të Fournier dhe 24 të Nikola Vucevic.

Situatë e ngjashme edhe në Perëndim, ku Houston Rockets rrëshqiti në vendin e nëntë, pas Dallas Mavericks e Utah Jazz, ndërsa Portland Trail Blazers realizoi hapin e rëndësishëm drejt ndeshjeve playoff, pas fitores 116-109 ndaj Boston Celtics. Në një mbrëmje ku Damian Lillard nuk ishte në formën më të mirë, sfida u zgjidhe nga Aminu me 28 pikë dhe 9 rikuperime nën tabelë dhe CJ Mçollum me 17 pikë dhe 8 asist.

Në zonat e larta, Oklahoma City Thunder fitoi me vështirësi 119-117 përballë Los Angeles Clippers, pavarësisht vendimit të Doc Rivers që të linte pushim yjet e skuadrës. Jamal Crawford dhe Austin Rivers realizuan secili nga 32 pikë, por nuk mjaftuan përballë 31 pikëve të Kevin Durant dhe 26 pikëve, 11 asist dhe 8 topave të rikuperuar nën tabelë të Russell Westbrook.

Exit mobile version