Me një sërë objektesh që “presin” zbukurimin, është çudi që Prishtina deri vonë mbeti qytet “gri” – me ndërtesa të dëmtuara të arkitekturës së betontë komuniste.
Afër këtyre ndërtimeve nisën të shfaqen ndërtesa të reja; fasada me dizajn të shëmtuar; objekte të mbushura me xhama. Kjo bashkë-ekzistencë në mes të vjetrës dhe të rejës nuk ka ndërlidhje. Për më keq, ndërtimet e reja dhe zgjerimi urban i Prishtinës vetëm se e vë në pah shëmtinë e ndërtimeve të vjetra.
Prishtina deri vonë nuk ka pasur një karakter unik dhe nuk dukej një vend që fton të rinjtë të kalojnë kohën në hapësira publike. Prandaj, nuk është e rastësishme që të rinjtë zgjedhin kafenetë si vendet e preferuara për të kaluar kohën. “Vjedhja” dhe dëmtimi vizual i hapësirave publike ishte një proces gradual, por i pandalshëm në Prishtinë.
Në këto rrethana, një grup entuziastësh, nën ombrellën e organizatës Qendra për Zhvillim të Artit – Q’art, vendosi të marrë veprime konkrete “për të ndryshuar situatën”, në partneritet me organizatën ndërkombëtare “Meeting of Styles” (MOS), me seli në Gjermani – e cila organizon aktivitete të artit publik në tërë botën, në rreth 40 qytete të mëdha anembanë botës. Organizata arriti të motivojë 54 artistë ndërkombëtarë dhe 24 artistë vendorë të punojnë në murin e gjatë 300 metra në Rrugën B në Prishtinë.
Çdo artist do të punonte një punim unik në një hapësirë të kufizuar, përderisa seria e punimeve bëhej e gjitha nën sloganin “Epoka e Bollëkut”. Ky slogan që është adekuat për shtetet e zhvilluara në Perëndim, ku qytetarët inkurajohen të largohen nga konsumerizmi i tepërt, merr formë pothuajse ironike në Kosovë. U vendos të mbetet ky slogan, duke u shndërruar në formë proteste nga artistët brenda Kosovës, e duke dhënë sinjal se edhe pse Kosova nuk ka “bollëk”, mund të jetë qendër e artit publik në këto hapësira.
Arsyeja për organizimin e “Meeting of Styles” nuk është veç për të zbukuruar muret e braktisura dhe të shëmtuara të Prishtinës. Qëllimi përfundimtar ishte të angazhoheshin të rinjtë e Prishtinës për të punuar në përmirësimin e hapësirës publike. Në këtë mënyrë, nga një qëndrim pasiv, të rinjtë do të kuptonin se hapësira publike ju përket atyre. Edhe pse mekanizmat për diskutim publik ekzistojnë në Prishtinë, ku qytetarët konsultohen për vendimet që prekin lagjet e tyre, ky proces shikohet si teknik dhe i pakuptueshëm tek të rinjtë.
Për më shumë, arsimi pasiv në Kosovë, si dhe kultura konservatore nuk inkurajon të rinjtë të shprehin mendimin. Si rezultat, të rinjtë nuk e shohin të arsyeshme të luftojnë për hapësirat publike, qoftë edhe nëpërmjet aktit të ngjyrosjes së murit me art publik. Natyrisht, këtu nuk nënkuptohen mesazhet e thjeshta, shpesh me natyrë politike apo britma në emër të dashurisë apo frustrimit, por vepër e menduar thellë me qëllim të trajtimit të ndonjë çështje sociale, e cila e ndal qytetarin në vend dhe e lë atë të mendoj thellë për çështjen që prezantohet. Së fundi, ky është qëllimi i artit në tërësi dhe konsiderohet se ky art duhet gjithsesi të dalë nga galeritë e mbyllura në hapësira publike, ashtu që sa më shumë qytetarë të kenë mundësi të shohin këto punime.
Në vitin 2017, “Meeting of Styles” e pranoi Prishtinën si një nga dy qytetet e vetme – bashkë me Zagrebin – ku do të dërgonin karvanin e artistëve ndërkombëtarë për të punuar. Këta artistë nuk erdhën të fitonin para dhe nuk kishin ndonjë agjendë tjetër përveç dëshirës të pasuronin kulturën vendore.
Festivali i mbajtur më 2017 kishte sukses të madh dhe bujë publike duke u përcjell nga pothuajse të gjitha mediat vendore. Me mijëra qytetarë vizituan lokacionin, ku kishin mundësi të shohin artistët duke përfunduar punimet e tyre – që nga koncepti deri në punimin përfundimtar. Vetë kryetari i Komunës vizitoi festivalin, ku bashkë me mijëra qytetarë bënë fotografi me punimet artistike në sfond.
Por, më e rëndësishmja, qytetarët në mediat sociale me plotë entuziazëm dhe krenari lavdëruan iniciativën, duke u shprehur se punimet e këtij arti i nevojiteshin qytetit. Për më tepër, shumë kompani private, deri te fotografët e martesave, organizuan foto-sesione me punimet artistike në fokus. Së shpejti, ndriçimi publik u përmirësua, duke i bërë punimet edhe më të dukshme gjatë natës.
Por, ajo që është më mbresëlënëse ishte nevoja e qytetarëve për t’i mbrojtur këto punime. Kur në janar të 2018-tës u shfaqën dy reklama në hapësirat ku ishin punimet, qytetarët reaguan bashkë me organet kompetente të Komunës, duke ndikuar në largimin e reklamave dhe gjobitjen e bizneseve që i kishin vendosur ato. Ky reagim ishte indikacion se qytetaret i shohin këto hapësira si të tyret dhe se përkrahin çdo iniciativë që sjell përmirësimin e këtyre hapësirave.
Kështu, në vitin 2018, me moton “Mes rreshtave”, një koloni e artistëve nga bota dhe Kosova do të jetësojnë edicionin e dytë të “Meeting of Styles”, nga 18-20 maji i 2018-së. Gjatë këtyre tri ditëve, “Meeting of Styles” dhe Prishtina do të jetë vendtakimi dhe inspirimi i qindra artistëve, muzikantëve, dizajnerëve, sportistëve urbanë, qytetarëve dhe vullnetarëve.
Në marshimin përgjatë 31 shteteve më 2018, Kosova listohet e para në rrugëtimin evropian të festivalit ndërkombëtar “Meeting of Styles” për këtëvit. Vlen të përmendet se edicioni i vitit 2017 në Kosovë, nga shumë është vlerësuar si një ndër më të suksesshmit për “street art” – apo artin e rrugës në rajon . Motoja e MOS-it për 2018, “Mes rreshtave”, paraqet rëndësinë e edukimit dhe mendimit kritik të të rinjve. Këtë vit MOS gërsheton artin me lirinë e mendjes, fuqinë e së vërtetës, ndriçimin mendor dhe të bukurën e realitetit jo-ideal.
Si rezultat i përkrahjes së qytetarëve për këtë iniciativë më 2017, Meeting of Styles në Kosovë, Edicioni 2018, synon ta bëjë Prishtinën kryeqendër ballkanike të artit dhe sporteve të rrugës, gjithashtu me qëllim të nxitjes së turizmit të grafiteve. Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, tashmë ka filluar konceptimi i platformës për nxitje të zhvillimit të këtyre disiplinave në dobi të artistëve, ambienteve të kryeqytetit dhe promovimit të tij turistik. /Telegrafi/