Telegrafi

Rikthehet gara NASA Space Apps

Më 29 dhe 30 prill, në ambientet e Innovation Centre Kosovo (ICK), mbahet edicioni i tretë e garës prestigjoze NASA Space Apps Challenge.

Të dashur tokësorë, gara më e madhe në botë për zhvillimin e web platformave dhe aplikacioneve mobile, NASA Space Apps Challenge rikthehet për herë të tretë në Prishtinë, me organizim të Innovation Centre Kosovo (ICK). Mijëra garues nga mëse 120 shtete të 6 kontinenteve, takohen më 29 prill për të përjetuar aventurën 48 orëshe të kodimit dhe dizajnimit të zgjidhjeve më të mira për “shpëtimin” e planetit tonë shtëpi – Tokës.

Kodues, shkencëtarë, profesorë, dizajnerë, artistë, gazetarë, inxhinierë dhe të tjerë të tjerë të interesuar, ftohen që të bashkangjiten në misioni për adresimin e sfidave kryesore me të cilat ballafaqohet planeti Tokë dhe hapësira në përgjithësi.

NASA Space Apps 2017 ka vetëm një kategori garuese – Planeti Tokë, ndërsa pjesëmarrësit duhet të përcaktohen në ofrimin e zgjidhjes për njërën nga pesë nën-kategoritë, të përgjedhura nga shkencëtarët e NASA: “Toka dhe Ne” – habitati i vetëm për të cilin nevojitet kujdes i shtuar, “Planetary Blues” – analizimi dhe vizuelizimi i të dhënave për hidrosferën dhe kriposferën e planetit, “Vërejtje! Jemi në rrezik” – monitorimi dhe parandalimi i katastrofave natyrore, të cilat paraqesin rrezik për jetën dhe pronën, “Një Tokë Ekologjike” – tani që NASA është në mision për zbulimin e jetës në planetet tjera, nuk duhet t’a harrojmë ruajtjen e biosferës së planetit tonë të vetëm, si dhe “Ideo dhe Krijo” – zbulimi i mistereve të reja në Tokë, interpretimi i të dhënave ekzistuese dhe dizajnimi i teknologjive të reja me qëllim të ballafaqimit me sfidat e planetit.

Të gjithë pjesëmarrësit e interesuar nga Kosova duhet të regjistrohen online KËTU. Regjistrimet janë individuale, megjithatë rekomandohet që ekipet të krijohen paraprakisht dhe të përcaktohen për njërën nga nën-kategoritë e garës.

Më 2015, nga mëse 900 projekte nga e e mbarë bota, ekipi “NatEv Explorer” nga Kosova arriti “triumfin galaktik” duke rrëmbyer çmimin global “People’s Choice Award”.

Për më shumë informata rreth garës kontaktoni Innovation Centre Kosovo (events@ickosovo.com), Facebook ose Twitter.