Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se kanë mbajtur takim konstitutiv për formimin e Komisionit Ad-hoc për reformën zgjedhore.
Konjufca në një postim në Facebook shkruan se partitë politike u pajtuan për formulën e përbashkët të komisionit.
Lexoni të plotë njoftimin e Konjufcës:
Sot, më datën 13 prill 2022 në Kuvendin e Republikës së Kosovës u mbajt një takim konstitutiv për formimin e Komisionit Ad-hoc për reformën zgjedhore.
Në takim u nënshkrua deklarata e përbashkët për themelimin e këtij komisioni dhe po ashtu u dakordua për formulën e komponimit të komisionit.
Pas një pune intensive dhe takimeve të shumta, partitë politike u pajtuan për formulën e përbashkët të komisionit
U përmend gjithashtu që krahas këtij komisioni të themelohet edhe Grupi Këshillëdhënës i cili do të përbëhet nga përfaqësues të shoqërisë civile të Kosovës që janë marrë me reformën zgjedhore, BE-së, OSBE-së.
Mbetemi të përkushtuar të kontribuojmë për një reformë të mirëfilltë zgjedhore në Kosovë. /Telegrafi/