Kapriçot e motit kanë rikthyer reshjet e dëborës në veri të Shqipërisë në mes të pranverës. Gjatë orëve të natës, në lartësitë mbi 1 mijë metra mbi nivelin e detit ka pasur reshje dëbore dhe temperatura në kufirin e 0 gradëve.
Për pasojë, pika turistike e Thethit është mbuluar nga petku i bardhë dhe po ashtu edhe aksi rrugor Bogë-Theth, në vendin e quajtur Qafë Thore. Reshjet e dëborës nuk kanë sjellë bllokime të aksit rrugor.
Një situatë e tillë e motit në zonat malore të veriut të vendit pritet të mbizotërojë deri të dielën, me temperatura të ulëta gjatë natës, si dhe me reshje që herë pas here do të jenë në formë dëbore. /Telegrafi/