Gjykatës Themelore të Mitrovicës i është rikthyer normaliteti. Gjyqtarët serb kanë ndërprerë bojkotin, duke iu rikthyer punës. Të gjitha seancat gjatë ditës janë mbajtur pa ndonjë problem.
Gjyqtarët kanë nisur përsëri punën, përkundër që nuk u është plotësuar kërkesa kryesore, rikthimi në punë i kryetares së Gjykatës, Liljana Stevanoviq.
Pas një bojkotimi një javor të punës, gjyqtarët serb në Gjykatën Themelore të Mitrovicës i janë rikthyer përsëri punës. Ata janë parë gjatë së martës duke hyrë në objektin e Gjykatës.
Rikthimin e normalitetit në Themeloren e Mitrovicës, e kanë konfirmuar edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
“Po, e vërtet është, z.Bekim Veliqi, u.d. i Kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka konfirmuar që të gjithë gjyqtarët janë kthyer në punë”, ka njoftuar Gjykata.
Veliqi prapa kamerës i ka treguar televizionit se edhe në kohën kur gjyqtarët serb kanë qenë në bojkot, seancat urgjente nuk kanë dështuar.
Në Mitrovicë seancat e rregullta nisën të mbahen nga e hëna.
“Dje e kemi mbajtë seancën, e gjithashtu edhe sot. Sa i kam pyetur kolegët e tjerë edhe ata që kanë pasur lëndë të tjera, edhe ata më kanë informu që i gjithë personeli i nacionalitetit serb është kthyer në punë”, ka deklaruar avokati Kadri Osaj.
Gjyqtarët serb bojkotuan punën nga 25 marsi. Ata u bënë pjesë e kësaj proteste, që kërkesë kishte rikthimin e Liljana Stevanoviq në krye të Gjykatës Themelore të Mitrovicës.
Stevanoviq u suspendua nga kjo pozitë pasi mori pjesë në takimin e Këshillit të Sigurisë së Serbisë, që u ftua nga Presidenti Aleksandar Vuçiq./RTV Dukagjini/Telegrafi/