Telegrafi

Rikthehen ndeshjet me dema, pas më shumë se një viti pauzë si pasojë e COVID-19 – 6 mijë spanjollë ia mësyjnë arenës “Las Ventas” 

Mijëra adhurues të ndeshjeve me dema, sot kanë përshëndetur matadorët që janë rikthyer në arenën e Madridit e njohur si “Las Ventas”, të cilët kurrë nuk hezitojnë të ndeshen kundër demave – e ndeshjet e sotme janë të parat që kur ka filluar pandemia e COVID-19.

Megjithatë vizitorët janë detyruar të bartin maska mbrojtëse dhe të ulen në ulëset e shënjuara – mes të cilave duhej të respektohej distanca sociale fizike, transmeton Telegrafi.

Tifozët shikonin se si matadorët luftonin kundër shtatë demave, kurse ngjarja kishte karakter humanitar – me qëllim që të mblidheshin para për matadorët që kanë mbetur pa punë, por edhe për punëtorët që punojnë në këtë arenë.

Pothuajse çdo palestër, stadium e arenë spanjolle është mbyllur për një vit për shkak të masave kufizuese, ku si rezultat i kësaj matadorët përjetuan krizën e thellë financiare.

E në luftën me dema sot kanë marrë pjesë 6 mijë qytetarë, që i bie afro 40 për qind e kapaciteteve të plota të arenës. E aty kanë marrë pjesë matadorët më të njohur spanjoll që argëtuan fansat e tyre. /Telegrafi/