Ministri i Ekonomisë dhe Kulturës Blendi Gonxhja kujtoi se nesër do të rikthehen Javët Kulturore Ndërkombëtare (JKN).
Ashtu si edhe në edicionet e kaluara JKN do të zhvillohen nga muaji maj deri në nëntor. Shqipëria do të mikpresë kultura nga e gjithë bota, me një kalendar të pasur me aktivitete, artistë e performanca, plot me surpriza dhe energji të reja.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ftoi shqiptarët t’i bashkohen mbrëmjes festive të hapjes së Javëve Kulturore Ndërkombëtare, e cila do të zhvillohet nesër (1 maj) në orën 20:00, në sheshin “Skënderbej”.
Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin kështu rrugëtimin e tyre të tretë në Shqipëri. Dy edicionet e tjera kanë sjellë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, qindra artistë nga bota.
JKN filloi si një nismë e ish-Ministrisë së Kulturës në vitin 2022, me dëshirën për të përçuar vlerat dhe traditat e për të nxitur shkëmbimin kulturor dhe frymëzuar inovacionin.
Nëpërmjet këtij projekti vendet njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat. JKN e shndërron skenën e aktiviteteve kulturore në vend në një arenë ndërkombëtare shumëkulturore dhe shumëdisiplinore. /Telegrafi/