Pas skadimit të mandatit të Oliver Spasovski dhe largimit të tij nga posti i ministrit të brendshëm në përputhje me marrëveshjen e Përzhinës, në këtë ministri janë bërë edhe 11 ndryshime kadrovike, që më parë ishin emëruar nga Spasovski. Në vend të tyre janë kthyer funksionarët e mëparshëm. Këtë situatë e konfirmon për televizionin 21 edhe ministri i brendshëm teknik, Agim Nuhiu.
“Gjithçka kthehet në gjendjen e mëparshme dhe personat që kanë qenë të emëruar mbi bazën e kësaj kuote nuk janë më në pozita të njëjta dhe situata është kthyer siç ka qenë para marrëveshjes së Përzhinës”, u shpreh Agim Nuhiu, ministër i MPB.
Ish-ministri Spasovski i pyetur nga TV21 nuk komentoi ndryshimet e bëra në MPB. Por, eksperti për çështje të sigurisë, Vladimir Pivovarov i cili ishte ndër këshilltarët e ish-ministrit Spasovski thekson se ministri Nuhiu në vend të kthimit të drejtorëve të mëparshëm, ka pasur mundësi të formojë ekipin e tij.
Me marrëveshjen e Përzhinës dhe në bazë të ndryshimeve të ligjit për Qeveri, Oliver Spasovski si ministër i brendshëm shtesë në kuadër të qeverisë së zgjeruar shfrytëzoi të drejtën për ndryshim të një pjese të strukturës udhëheqëse, saktësisht duke emëruar 11 udhëheqës të ri në njësitë organizative në përbërjen e MPB-së, 7 në sektorët për Punë të Brendshme dhe 4 në Ministrinë e Punëve të Brendshme, gjegjësisht në departamente të ndryshme./Telegrafi/