Hekurudhat e Maqedonisë-Transport filloi me rikonstruktimin e depos për trena ku do të formohen kushte për servisimin normal të lokomotivave, vagonëve të udhëtarëve dhe vagonave të mallrave, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Rekonstruksioni do të kushtojë rreth dy milionë euro që janë siguruar përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Pritet rikonstruktimi të përfundojë për një vit.
‘Për herë të parë pas 43 viteve bëjmë modernizimin e sallave dhe krijimin e kushteve normale për servisimin e trenave. Edhe krahas situatës në të cilën gjendet ‘Hekurudhat e Maqedonisë’, duke e pasur parasysh krizën e emigrantëve dhe grevat në limanin e Selanikut, gjejmë mënyra dhe mjete përmes projekteve të Qeverisë të kryejmë rikonstruktimin e këtyre sallave’, deklaroi sot Nikolla Kostov drejtor i ‘Hekurudhat e Maqedonisë-Transport’.
Krahas rindërtimit të depos, në pjesën e modernizimit të komunikacionit hekurudhor, janë blerë edhe 150 vagonë për mallra dhe gjashtë trena për udhëtarë, ndërsa në vijim është blerja e tre lokomotivave elektronike. /Telegrafi/