Site icon Telegrafi

Rikard Ljarja, bir i artit

Rikard Ljarja

Nga: Albert Shala

Mire bërë, moj bijë, që shkrove disa rreshta për shokun tim të vjetër, Rikardin. Po shoh këtu në FB në pamundësi që të dal nga shtëpia që shumë e shumë njerëz, miq e shokë të tij, si dhe plot dashamirës, të panumërt, me plot dhembje shprehin vlerësimet e tyre për largimin e tij nga kjo botë. Dhe, me të drejte. Rikardi me çfarë bëri në jetën e tij ishte kthyer në një ikonë të artit shqiptar në më shumë se gjysmë shekulli.

Nëse ka ndonjë gjë që mund të shtoj me këtë rast është se ai ka qenë “bir i artit”, një artist shumëdimensional. Shumëkush nuk e di që ai ka qenë një muzikant i mrekullueshëm, i cili që në rininë e hershme ka marrë pjese si orekstrant në shfaqjen e pare të operës “Mrika”, duke luajtur në fagot. Pakkush mund ta dije që ai me fizarmonikën e tij në krah i jepte gjallëri dasmave në vendlindjen tonë, në Shkodër. Pakkush mban mend që ai ka marrë pjesë me një këngë rinore me titullin “Riviera” në një ndër festivalet e para në Radio Tirana. E, më tej, Rikardi ka qenë një piktor i talentuar e mjaft origjinal, që ka lënë vepra të çmuara edhe në këtë fushë. E, më tej se kaq, po them që ai ka lënë edhe disa libra me tregime shumë të bukura, e së fundi, në nëntor të vitit që shkoi, megjithëse shëndeti e kishte vënë poshtë, përfundoi e botoi romanin e tij të fundit.

Rikardi ka qenë shembull i artistit të madh shqiptar, i njeriut të talentuar në disa fusha, punëtorit të palodhur, qytetarit të ndershëm e të urtë, që gjithë jetën e tij e kishte mbështetur te mirësia e puna.

I qofte i lehtë dheu. Jam i bindur që arti shqiptar do ta ketë Rikard Ljarjen gjithnjë si shembull plot dritë.

(Autori është miku i fëmijërisë së aktorit Rikard Ljarja)

Exit mobile version